Drakiq: Dhoma e Tregtisë po përgatit kompanitë vendase për tregun evropian
Prej Tv Teuta6 November 2025
Dhoma e Tregtisë së Malit të Zi, si shoqata më e vjetër kombëtare e biznesit, mbështet fuqishëm anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian dhe punon me përkushtim për përgatitjen e kompanive tona për kushtet e tregut unik evropian, deklaroi kryetarja e Dhomës, Nina Drakiqi.
Një ditë pas miratimit të Paketës së Zgjerimit për vitin 2025 nga Komisioni Evropian, përfaqësues të dhomave të tregtisë dhe kompanive nga vendet kandidate, që morën pjesë në edicionin e shtatë të Parlamentit Evropian të Ndërmarrjeve, patën mundësinë të diskutojnë me Mathieu Bousquet, drejtor për koordinim, strategji dhe investime në Drejtorinë e Përgjithshme të Komisionit Evropian për Zgjerim dhe Fqinjësi Lindore (DG ENEST), mbi gjetjet kryesore të raporteve për secilën vend.
Takimi shërbeu si një platformë për shkëmbimin e mendimeve rreth sfidave kryesore me të cilat përballet komuniteti i biznesit gjatë procesit të anëtarësimit në BE, mundësive që ky proces sjell dhe forcimit të marrëdhënieve ndërmjet Bashkimit Evropian dhe vendeve kandidate.
“Kjo është arsyeja pse Dhoma e Tregtisë së Malit të Zi, si institucioni më i vjetër ekonomik kombëtar, mbetet një mbështetëse e palëkundur e anëtarësimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian. Ne e kuptojmë se procesi i integrimit evropian nuk është vetëm politik, por edhe ekonomik, që kërkon pjesëmarrjen aktive të sektorit privat. Pa një ekonomi konkurruese, nuk mund të ketë integrim të suksesshëm, dhe pa ndërmarrje të përgatitura mirë, nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë kombëtare,” theksoi në fjalën e saj Drakiqi.
Ajo shtoi se roli i Dhomës reflektohet përmes pjesëmarrjes në grupet e punës për negociatat e anëtarësimit të Malit të Zi në BE, duke kontribuar në përafrimin e legjislacionit kombëtar me acquis communautaire (trupin ligjor evropian), duke ruajtur njëkohësisht një ambient të favorshëm biznesi dhe duke forcuar konkurrueshmërinë e ekonomisë malazeze.
Drakiqi vuri në dukje se, krahas aspekteve pozitive dhe trendeve të mira, ekzistojnë sfida reale për ekonominë e Malit të Zi – si procesi i dekarbonizimit dhe tranzicioni dixhital, të cilat pengohen nga mungesa e burimeve financiare e njerëzore, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar, mungesa e investimeve dhe prania e ekonomisë joformale.
“Të gjitha këto faktorë ndikojnë në zvogëlimin e kapaciteteve të ekonomisë sonë për të arritur një rritje më të lartë ekonomike. Megjithatë, periudha aktuale e qetësisë ofron një mundësi për përparim të shpejtë, me ndihmën e partnerëve evropianë, fondeve dhe iniciativave rajonale, si dhe përmes mbështetjes direkte nga institucionet e BE-së. Investimet duhet të përqendrohen kryesisht në infrastrukturë, ndërlidhje energjetike dhe bujqësi,” theksoi ajo.
Kryetarja Drakiqi nënvizoi gjithashtu rëndësinë e dhomave të tregtisë si “ura lidhëse mes shtetit dhe biznesit”. Dhoma e Tregtisë së Malit të Zi prej vitesh organizon dialogje tematike me Qeverinë, pushtetet lokale dhe partnerë ndërkombëtarë, duke ofruar një platformë për shkëmbim informacioni dhe formulim zgjidhjesh të përbashkëta. “Këto takime ndihmojnë që politikat të bazohen në të dhëna reale dhe në përvojën e biznesit, sipas praktikave evropiane – çka është thelbësore për zbatimin e suksesshëm të reformave të brendshme dhe për ndërtimin e kapaciteteve në politikat e jashtme ekonomike.”
Ajo përfundoi duke theksuar se dhomat e tregtisë kanë një rol të dyfishtë – të promovojnë vlerat dhe standardet evropiane ndërmjet bizneseve, si dhe të jenë partnerë të Komisionit Evropian në zbatimin e politikave që sjellin përfitime konkrete për ekonominë dhe qytetarët.
Gjatë qëndrimit të saj në Bruksel, Drakiqi mori pjesë në asamblenë vjetore të Shoqatës së Dhomave të Tregtisë të Evropës – Eurochambres, ku Vladimir Dlouhy u rizgjodh si president i kësaj organizate.