Beçiq: Është një fat i madh për Malin e Zi që Shqepanoviq është në krye të policisë
Prej Tv Teuta6 November 2025
Në vijim është Seanca e Dytë e Posaçme e Sesionit të Dytë të Rregullt të Kuvendit të Malit të Zi për vitin 2025, dita e pestë, në kuadër të së cilës deputetët u drejtojnë pyetje përfaqësuesve të Qeverisë së Malit të Zi. Sot pyetjeve të deputetëve u përgjigjen Aleksa Beçiq, zëvendëskryeministër për siguri, mbrojtje, luftën kundër krimit dhe politikën e brendshme, dhe Damjan Qullafiq, ministër i Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Zhvillimit të Veriut. Zëvendëskryeministri për siguri, mbrojtje, luftën kundër krimit dhe politikën e brendshme, Aleksa Beçiq, tha se në sektorin e sigurisë janë arritur rezultate mbresëlënëse. Ai theksoi se vitin e ardhshëm 54 milionë euro do të destinohen për blerjen e dronëve, sistemit të vëzhgimit me video, sistemeve biometrike, etj. “Në aspektin normativ, Ministria e Punëve të Brendshme në vitin 2024 ishte kampione për ligjet dhe strategjitë e miratuara në rrugën evropiane, siç e patë edhe për kontributin ndaj IBAR-it. Jeni dëshmitarë të një lufte më të fortë se kurrë kundër të gjitha formave të krimit. Një luftë ku nuk ka të paprekshëm. Pothuajse çdo javë dhe muaj kemi goditje ndaj mafies së drogës dhe duhanit”, tha Beçiq. Deputeti i Demokratëve të Malit të Zi, Boris Bogdanoviq, pyeti nëse do të vazhdohet me procesin e vetingut në polici e ushtri, dhe nëse ai do të zbatohet edhe në drejtësi. Atyre që janë “në anën tjetër të ligjit”, Bogdanoviq u tha: “Kur shteti të nisë – mjerë ju!”. “Sipas aspektit formal-juridik”, shtoi ai. Aleksa Beçiq theksoi se vetingu është procesi më i rëndësishëm për të ardhmen e shoqërisë malazeze. “Prej tij varet nëse do të arrijmë të ndërtojmë institucione të forta. Vetingu është ligj, është detyrim, dhe ai proces po zhvillohet plotësisht në përputhje me ligjin”, tha Beçiq në përgjigje për Bogdanoviqin. Sipas Beçiq-it, është një fat i madh për Malin e Zi që kemi në krye të policisë drejtorin në detyrë Lazar Shqepanoviq. “Është fat që kemi një profesionist të tillë në krye të policisë, të cilin e kam njohur përmes sistemit”, tha Beçiq. Deputeti i Demokratëve, Momçillo Llekoviq, pyeti Beçiq-in se cilat masa planifikon sektori i sigurisë të ndërmarrë për shkak të rritjes së numrit të aksidenteve rrugore në Mal të Zi. Ai tha se siguria në komunikacion është një temë shumë e rëndësishme, ndaj së cilës i kushtohet shumë vëmendje. Sa i përket statistikave, Beçiq tha se në nëntë muajt e parë të vitit 2024 në aksidente rrugore kanë humbur jetën 47 persona, ndërsa në nëntë muajt e parë të këtij viti – 40 persona. Në gjysmën e dytë të vitit 2026, njëqind lokacione do të mbulohen me radare stacionare Për të përmirësuar gjendjen në këtë fushë, po punohet në drejtim të përmirësimit të kuadrit ligjor, forcimit të masave parandaluese dhe ndëshkuese, përmirësimit të pajisjeve dhe teknologjive të disponueshme, si dhe ndërtimit të infrastrukturës. Beçiq tha se në nëntë muajt e parë të këtij viti, për shkelje të rregullave të trafikut, janë arrestuar 5,600 persona, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar – 3,900. Ai tha se aktivitetet parandaluese dhe ndëshkuese janë forcuar ndjeshëm. Sa i përket substancave psikoaktive, Beçiq tha se në nëntë muajt e parë të këtij viti janë testuar 2,100 persona, nga të cilët mbi një mijë kanë rezultuar pozitivë, ndërsa mbi 500 persona kanë refuzuar testimin. “Gjatë këtyre nëntë muajve, 7,700 drejtues mjetesh kanë rezultuar pozitivë në alkool dhe janë ndëshkuar në përputhje me ligjin”, tha Beçiq. Beçiq tha se është bërë përparim i madh në vendosjen e radarëve stacionarë dhe se gjendja që gjetën ishte pothuajse zero. Ai shtoi se, pasi morën detyrën, u formua një grup pune që ka punuar për një vit e gjysmë. “Mendoj se në gjysmën e dytë të vitit 2026 njëqind lokacione në Mal të Zi do të jenë të mbuluara me radare stacionare,” tha Beçiq.