Bashkëpunim i thelluar Mali i Zi – Maqedonia e Veriut
Prej Tv Teuta2 October 2025

Marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut janë një shembull pozitiv për rajonin, ndërsa bashkëpunimi ndërinstitucional ndërmjet dy vendeve po hyn në një fazë të re, më intensive dhe të orientuar drejt reformave konkrete.Gjatë një vizite zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ministri i Administratës Publike të Malit të Zi, Marash Dukaj, u takua me zëvendëskryeministrin për Çështje Evropiane, Arben Fetai. Temat kryesore të takimit ishin thellimi i bashkëpunimit në fushat kyçe si reforma e administratës publike, transformimi digjital i shërbimeve dhe përforcimi i sigurisë së informacionit. Ministri Dukaj theksoi se shkëmbimi i përvojave dhe praktikave të mira në menaxhimin e burimeve publike është thelbësor për modernizimin e administratës dhe ofrimin e shërbimeve më efikase për qytetarët. Ai shtoi se një administratë moderne dhe transparente është themel për përshpejtimin e integrimeve evropiane të të dy vendeve.“Bashkëpunimi ynë i ndërsjellë mund të kontribuojë ndjeshëm në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike, duke ndikuar drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve tanë. Përshpejtimi i rrugës drejt Bashkimit Evropian është synimi ynë i përbashkët dhe si ministër do të jap kontributin maksimal në këtë drejtim,” tha Dukaj. Nga ana tjetër, zëvendëskryeministri Arben Fetai vlerësoi lart përkushtimin e Malit të Zi për një partneritet strategjik dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal përmes projekteve konkrete dhe shkëmbimeve të ndërsjella.“Vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë dhe ndihmës së ndërsjellë mund të përballemi me sfidat që ka reforma e administratës publike. Ajo mbetet një nga temat më të rëndësishme në rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian,” theksoi Fetai. Në takim u theksua se ka potencial të madh për avancimin e kapaciteteve institucionale në të dy vendet, përmes organizimit të vizitave studimore, trajnimeve të përbashkëta dhe mbështetjes teknike nga ekspertë të fushave përkatëse. Ministria e Administratës Publike e Malit të Zi njoftoi se do të angazhohet për të konkretizuar bashkëpunimin përmes memorandumeve të mirëkuptimit dhe projekteve të përbashkëta që do të kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së administratës publike, me fokus te transparenca, digjitalizimi dhe mbrojtja e të dhënave. Ky takim shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve ndërmjet Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, duke dëshmuar përkushtimin e përbashkët për një të ardhme evropiane, më të zhvilluar dhe më të integruar për të gjithë qytetarët e rajonit.