Ekonomi

Ekonomi Më shumë

Administrata Tatimore: Fundi i tremujorit të tretë shënoi rritje të të ardhurave bruto me 7,1 milionë euro

Prej Tv Teuta7 October 2025

Administrata Tatimore (AT) për nëntë muajt e vitit 2025 ka realizuar 1,2 miliardë euro të ardhura bruto, që është mbi shtatë milionë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, është bërë e ditur nga Administrata Tatimore.

“Në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kur të ardhurat ishin 1.237.632.923 euro, është arritur një rritje prej 7,1 milionë euro, çka konfirmon trendin e qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm të rritjes së të ardhurave buxhetore. Plani i mbledhjes së të ardhurave për periudhën nga fillimi i janarit deri në fund të shtatorit është realizuar në nivelin 99 për qind”, thuhet nga AT.

Nga tatimi mbi vlerën e shtuar, në periudhën 1 janar – 30 shtator janë mbledhur 434,3 milionë euro, që është 78 milionë ose 22 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Mbledhja e tatimit mbi fitimin e personave juridikë ka arritur në 223 milionë euro dhe ka tejkaluar atë të vitit të kaluar për 18,5 milionë euro”, thuhet në njoftim.

Mbledhja e kontributeve është më e ulët se ajo e vitit të kaluar për 32 për qind, dhe rënia është shkaktuar nga ulja e normës së kontributeve për sigurimet shoqërore (PIO).

“Pavarësisht faktit që si rezultat i ndryshimeve ligjore, të cilat hynë në fuqi më 1 tetor 2024, është ulur norma e kontributeve për sigurimet shoqërore, Administrata Tatimore ka arritur të mbajë trendin pozitiv të mbledhjes së përgjithshme të të ardhurave dhe kështu ka dëshmuar edhe një herë aftësinë e saj për t’iu përgjigjur në mënyrë efikase sfidave të politikës fiskale”, kanë thënë nga AT.

Ata theksojnë se këto rezultate dëshmojnë përkushtimin e fortë të Administratës Tatimore për të vazhduar përpjekjet në drejtim të rritjes së të ardhurave buxhetore dhe të stabilitetit afatgjatë fiskal, përmes aktiviteteve të fokusuara në rritjen e nivelit të vullnetarizmit në deklarimin dhe pagesën e detyrimeve tatimore, si dhe përmes kontrollit inspektues të bazuar në analizën e rrezikut.