Administrata Tatimore ka mbledhur 1,4 miliardë euro në dhjetë muaj
Prej Tv Teuta7 November 2025
Administrata Tatimore (AT) ka realizuar mbledhjen e të ardhurave bruto në vlerë totale prej 1,4 miliardë eurosh për dhjetë muajt e këtij viti, që është 17 milionë euro më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Plani i mbledhjes për periudhën nga fillimi i janarit deri në fund të tetorit është realizuar në nivelin 99,6 për qind, është bërë e ditur nga Administrata Tatimore. “AT gjatë kësaj periudhe ka punuar intensivisht në realizimin e aktiviteteve të planifikuara që lidhen me sezonin turistik në fushën e inspektimit dhe mbledhjes së të ardhurave, si dhe në forcimin e komunikimit proaktiv dhe qasjes shërbyese ndaj tatimpaguesve. Mbledhja e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) arriti në 495 milionë euro, që është 92 milionë euro më shumë ose 23 për qind më shumë krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa në krahasim me planin është 456 mijë euro më shumë,” thuhet në njoftim. Nga tatimi mbi fitimin e personave juridikë janë mbledhur 227 milionë euro, që është 21 milionë euro më shumë ose 10 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, dhe 14,4 milionë euro më shumë se plani. “Nga kontributet janë mbledhur 339 milionë euro, që është 32 për qind më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Arsyeja e uljes së mbledhjes së kontributeve është ulja e normës së kontributeve për sigurimin pensional (PIO) në bazë të ndryshimeve ligjore nga 1 tetori 2024, me të cilat kontributi në ngarkesë të të siguruarit është ulur nga 15 për qind në 10 për qind, ndërsa kontributi në ngarkesë të punëdhënësit është ulur nga 5,5 për qind në 0 për qind, pra tani ngarkesa totale për kontributet në PIO për të gjitha kategoritë e tatimpaguesve është 10 për qind,” thuhet në njoftim. Shtohet se rezultatet e arritura në periudhën nga 1 janari deri më 31 tetor 2025 dëshmojnë se Administrata Tatimore po i përmbush me sukses objektivat e përcaktuara në planin strategjik, me fokus të veçantë në luftën kundër ekonomisë joformale, përmirësimin e disiplinës tatimore dhe forcimin e bashkëpunimit me tatimpaguesit. “Edhe në periudhën e ardhshme do të vazhdohet me zbatimin e aktiviteteve që synojnë modernizimin e proceseve të punës, rritjen e transparencës dhe rritjen e mëtejshme të të ardhurave tatimore, në dobi të stabilitetit të financave publike të Malit të Zi,” thuhet në fund të njoftimit.