Slider

Aktuale Më shumë

Projektligj: Leje për tregtinë e armëve edhe pa pëlqimin e MPJ-së

Prej Tv Teuta7 November 2025

Projektligji për ndryshimet në Ligjin për tregtinë e jashtme të armatimit dhe pajisjeve ushtarake parasheh që, në procedurën e lëshimit të lejeve për tregtinë e jashtme të armatimit dhe pajisjeve ushtarake, të eliminohet nevoja për pëlqimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Malit të Zi. Projektligji është në procedurë parlamentare, dhe nënshkrues janë Vasillije Çarapiq (PES), Dejan Gjuroviq (NSD), Vlladisllav Bojoviq (DNP) dhe Boris Bogdanoviq (Demokratët e Malit të Zi). Në propozimin e këtij akti thuhet se “ky ndryshim ka për qëllim të përcaktojë më saktë kompetencat e organeve të administratës shtetërore që marrin pjesë në procedurën e dhënies së lejeve për tregtinë e jashtme të armatimit dhe pajisjeve ushtarake”. “Në praktikë është treguar se roli i organit kompetent për punët e jashtme nuk ka rëndësi thelbësore në këtë procedurë, pasi çështjet e politikës dhe sigurisë ndërkombëtare tashmë trajtohen në mënyrë adekuate përmes kompetencave të organeve përgjegjëse për mbrojtjen dhe punët e brendshme”, thuhet në arsyetimin për miratimin e këtij ndryshimi. Propozimi thekson se me këtë mënyrë procedura e dhënies së lejeve thjeshtësohet dhe përshpejtohet, pa ulur nivelin e kontrollit dhe standardeve të sigurisë, me një ndarje më të qartë të përgjegjësive ndërmjet institucioneve kompetente. Në arsyetim sqarohet se ndryshimi përfshihet në mënyrë që “në nenin 1 parashikohet ndryshimi i nenit 10, paragrafët 1 dhe 2 të Ligjit për tregtinë e jashtme të armatimit dhe pajisjeve ushtarake, në mënyrë që të fshihen fjalët ‘dhe punët e jashtme’, me ç’rast përcaktohen më qartë kompetencat e organeve që marrin pjesë në procedurën e dhënies së lejeve për tregtinë e jashtme të armatimit dhe pajisjeve ushtarake”. Gjithashtu, thuhet se neni 2 përcakton që ligji hyn në fuqi tetë ditë pas publikimit në “Fletoren Zyrtare të Malit të Zi”. Në analizën financiare të propozimit thuhet se për zbatimin e këtij projektligji nuk është e nevojshme të sigurohen mjete shtesë nga Buxheti i Malit të Zi. “Qëllimi i këtyre ndryshimeve është që në të ardhmen procedura e dhënies së lejeve për tregtinë e armatimit dhe pajisjeve ushtarake të zhvillohet pa pëlqimin e detyrueshëm të Ministrisë së Punëve të Jashtme”, përfundon dokumenti.