Princi Nikolla: Emri Petroviq-Njegosh duhet t’i bashkojë, jo t’i ndajë malazezët
Prej Tv Teuta15 October 2025
Princi Nikolla Petroviq-Njegosh ka reaguar lidhur me polemikat që kanë pasuar propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi statusin e pasardhësve të Dinastisë Petroviq-Njegosh, duke shprehur zhgënjim të thellë dhe duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së unitetit kombëtar dhe të drejtësisë historike. Në deklaratën e tij publike, princi Petroviq u shpreh se debati i fundit rreth këtij ligji e ka trishtuar thellë. Ai vuri në dukje se rishikimi i ligjit është bërë i domosdoshëm për shkak të detyrimeve të paplotësuara nga akti i mëparshëm, duke theksuar se çështja e rezidencës së familjes së tij ka mbetur e pazgjidhur për vite me radhë. Sipas tij, gjatë gjithë kësaj periudhe ka vepruar me ndërgjegje dhe përkushtim, me synimin për të qenë në shërbim të Malit të Zi dhe për të nderuar kujtimin e paraardhësve të tij, të cilët kanë pasur një rol të rëndësishëm në historinë e vendit. Ai rikujtoi se është angazhuar për paqen, të drejtat e njeriut dhe për afirmimin ndërkombëtar të pavarësisë së Malit të Zi. Duke iu referuar procesit të miratimit të ligjit të vitit 2011, Petroviq kujtoi se ai kishte zgjatur shtatë vjet dhe kishte qenë një proces i vështirë, por që kishte rezultuar në rehabilitimin moral dhe historik të dinastisë Petroviq-Njegosh. Ai theksoi se termi “aneksim” mbetet për të një fakt historik që shënon periudhën kur Mali i Zi u fshi nga hartat evropiane dhe familja mbretërore u detyrua të jetonte në mërgim. Princi Petroviq përmendi edhe një fjalim të mbajtur në vitin 2017 në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Francës nga zyrtarja zonja Manzhen, e cila, sipas tij, pranoi se Mbretëria e Malit të Zi ishte sakrifikuar në emër të “interesave më të larta” ndërkombëtare, duke theksuar se kjo përbën një njohje morale të padrejtësisë historike ndaj Mbretit Nikolla dhe Malit të Zi. Ai shprehu shpresën se ndryshimet e reja në ligj, të cilat heqin fjalën “e dhunshme” por ruajnë termin “aneksim”, do të kontribuojnë në qetësimin e tensioneve politike dhe shoqërore. Petroviq vlerësoi gjithashtu përpjekjet e qeverisë për të arritur kompromis dhe për të siguruar zbatimin e ligjit në përputhje me parimet e drejtësisë. Një rëndësi të veçantë, tha ai, ka kthimi i rezidencës simbolike të familjes, shtëpisë që dikur i përkiste gjyshit të tij Mirko, ku kishte lindur babai i tij Mihajllo Petroviq. Ai theksoi se ky veprim do të përfaqësonte respektimin e ligjit të vitit 2011, i cili nuk është zbatuar prej më shumë se një dekade e gjysmë. Në përfundim, princi Nikolla bëri thirrje për dialog dhe unitet, duke theksuar se emri Petroviq-Njegosh duhet të jetë simbol i bashkimit të malazezëve, e jo i përçarjes, dhe se përparësia duhet t’i jepet të ardhmes së Malit të Zi, jo konflikteve të së kaluarës.