Rajoni/Bota

Rajoni/Bota Më shumë

Zgjedhjet në Kosovë, BE kërkon tranzicion të rregullt të pushtetit

Prej Tv Teuta14 October 2025

Bashkimi Europian ka përshëndetur zhvillimin e qetë dhe demokratik të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 12 tetor në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e një tranzicioni të rregullt të pushtetit në ato komuna ku fituesit janë shpallur që në raundin e parë. Zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, tha se “për komunat ku kryetarët janë zgjedhur në raundin e parë, ne bëjmë thirrje për një certifikim të shpejtë të rezultateve dhe për zbatimin e tyre përmes një tranzicioni të rregullt të pushtetit lokal”. Për komunat ku pritet zhvillimi i raundit të dytë më 9 nëntor, BE kërkoi që procesi të jetë po aq i qetë, konkurrues dhe gjithëpërfshirës, duke përfshirë të gjitha komunitetet etnike që jetojnë në Kosovë. Zëdhënësja Hipper theksoi se misioni i ekspertëve të Bashkimit Europian ndodhet tashmë në Kosovë me ftesë të presidentes Vjosa Osmani dhe se po vëzhgon ecurinë e të gjithë procesit zgjedhor. Ky mision do të hartojë një raport përfundimtar pas përfundimit të zgjedhjeve, duke vlerësuar nëse procesi është zhvilluar në përputhje me standardet demokratike europiane. Hipper kujtoi se raporti i misionit të BE-së për zgjedhjet parlamentare të mbajtura në shkurt 2025 kishte evidentuar disa raste të ndërhyrjeve gjatë procesit, prandaj BE pret që këtë herë të gjitha palët të frenohen nga veprime të tilla dhe të garantojnë zgjedhje të lira e të ndershme. E pyetur nëse Brukseli ka dijeni për ndërhyrje të Serbisë në procesin zgjedhor, Hipper nuk dha një përgjigje konkrete, por theksoi se raporti i mëparshëm i BE-së kishte përmendur rolin e mediave të mbështetura nga Kremlini, si RT Balkan dhe Sputnik Srbija, të cilat gjatë fushatës kishin publikuar materiale me përmbajtje manipuluese ndaj komunitetit serb në Kosovë. Bashkimi Europian pritet të publikojë raportin përfundimtar pas raundit të dytë të zgjedhjeve më 9 nëntor, duke ofruar një vlerësim të plotë të standardeve demokratike dhe transparencës së procesit.