Të ardhurat nga obligacionet shtetërore do të jenë pa tatim
Prej Tv Teuta10 October 2025

Qytetarët që blejnë obligacione shtetërore nuk do të paguajnë tatim mbi të ardhurat që arrijnë nga këto, pasi Ligji për tatimin mbi të ardhurat e individëve do të ndryshohet në muajt e ardhshëm, është njoftuar nga Ministria e Financave.
Shteti do të emetojë më 3 nëntor obligacione vendase me vlerë 50 milionë euro për qytetarët e Malit të Zi, për një afat prej dy vjetësh, me një fitim vjetor prej 3,75 përqind. Kjo do të thotë se një qytetar që blen obligacione me vlerë një mijë euro do të ketë një fitim vjetor prej 37,5 euro, dhe për dy vitet, 75 euro.
Sipas Ligjit aktual për tatimin mbi të ardhurat e individëve, të ardhurat nga kapitali, përfshirë interesat dhe fitimet nga obligacionet, tatohen me normë prej 15 përqind. Megjithatë, grupi i punës i formuar nga Ministria e Financave po përgatit draft-ligjin për ndryshime dhe plotësime të ligjit, që parashikon lirimin nga tatimi për obligacionet shtetërore deri në fund të vitit.
Shitja e obligacioneve shtetërore është mënyrë për të financuar huatë e shtetit. Blerësit kanë të drejtë për fitim vjetor, ndërsa kapitali i tyre kthehet në momentin e maturimit, që në këtë rast është dy vjet, ose më 4 nëntor 2027.
Ministri i Financave, Novica Vukoviq, deklaroi se ky fitim vjetor është më i lartë se normat që ofrojnë aktualisht bankat për kursime me afat dhe se kjo është një mundësi për qytetarët të investojnë kapitalin e tyre më mirë, ndërsa shteti të marrë hua më lirë.
Sipas të dhënave të Banka Qendrore, norma më e madhe mesatare e interesit për kursimet e qytetarëve në bankat malazeze në gusht ishte 2,33 përqind për depozitat me afat pesëvjeçar. Fitimi i ofruar nga obligacionet shtetërore është një e treta më i lartë, dhe për të ardhurat nga këto obligacione nuk do të ketë tatim, nëse ndryshimet ligjore miratohen deri në fund të vitit.
Pra, një qytetar që depoziton një mijë euro në bankë mund të presë një fitim vjetor neto prej 19,8 euro, ndërsa nëse investon të njëjtën shumë në obligacione shtetërore do të marrë 37,5 euro të pastra.
Në fund të gushtit, qytetarët malazezë kishin 2,32 miliardë euro në banka, nga të cilat 387 milionë euro ishin depozita me afat, ndërsa 1,93 miliardë euro ishin të paafatuara. Për afat mbi tre vjet ishin vendosur vetëm 41,5 milionë euro, që përbën 1,7 përqind të totalit të depozitave