Politikë

Politikë Më shumë

Gjeloshaj: Anëtarësimi i Malit të Zi në BE do të sjellë rritje të investimeve, përmirësim të infrastrukturës, transformim digjital…

Prej Tv Teuta9 October 2025

“Malin e Zi në vitin 2028 e shohim si një anëtare të qëndrueshme të Bashkimit Evropian, me institucione efikase dhe një ambient konkurrues për biznes, gjë që do të sjellë rritje të investimeve, përmirësim të infrastrukturës, transformim digjital dhe forcim të pozitës rajonale dhe ndërkombëtare”, tha Nik Gjeloshaj në Konferencën ACE 2025 për Shkëmbim të Praktikave më të Mira, e cila po mbahet në Kotor. Anëtarësimi i Malit të Zi në BE do të sjellë rritje të investimeve, përmirësim të infrastrukturës, transformim digjital dhe forcim të pozitës rajonale dhe ndërkombëtare, deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i zhvillimit ekonomik, Nik Gjeloshaj, në konferencën e organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë (AmCham). Ai, gjatë darkës solemne dhe diskutimit panel me titull “Mali i Zi në rrugën drejt BE-së”, theksoi se Mali i Zi, kur të bëhet pjesë e BE-së, do të jetë një destinacion ku investitorët mund të llogarisin në siguri dhe administratë profesionale, ndërsa qytetarët do të ndiejnë përfitime të drejtpërdrejta përmes rritjes ekonomike dhe punësimit. Nga AmCham njoftuan se gjatë tri ditëve të Konferencës ACE 2025 për Shkëmbim të Praktikave më të Mira, Malin e Zi do ta vizitojnë përfaqësues të 30 dhomave amerikane të tregtisë nga Evropa dhe Euroazia, drejtorë ekzekutivë dhe liderë të komuniteteve më me ndikim ndërkombëtar të biznesit. Kryetarja e rrjetit AmChams in Europe (ACE), Ajsha Vodnik, tha se konferenca të tilla janë një mundësi e çmuar për të ndërtuar marrëdhënie më të forta për një Evropë më të mirë dhe për të forcuar më tej lidhjet transatlantike. “Jemi veçanërisht të lumtur që jemi në Mal të Zi, ku mbështesim përpjekjet e vendit për t’u bashkuar me BE-në”, tha Vodnik. Kryetarja e Bordit Drejtues të AmCham-it, Sanja Çalasan, deklaroi se integrimet evropiane nuk janë vetëm aspirata politike, por edhe një rrugë ekonomike që kërkon investime, inovacione dhe besim. “Është pikërisht këtu ku dhomat amerikane të tregtisë luajnë një rol unik. Në të gjithë kontinentin, ato veprojnë si ura mes qeverive dhe biznesit, mes Evropës dhe SHBA-së, mes investitorëve dhe mundësive. AmCham Mali i Zi me krenari qëndron si një urë e tillë. Misioni ynë është të mbështesim një ekonomi të qëndrueshme dhe të hapur, të ndihmojmë në tërheqjen e investimeve të huaja dhe të ofrojmë një platformë ku dialogu shndërrohet në veprim”, tha Çalasan. Ajo shtoi se AmCham është e përkushtuar në krijimin e mundësive dhe formësimin e një ambienti ku investitorët mund të jenë të sigurt se Mali i Zi nuk është vetëm një vend i bukur për t’u vizituar, por edhe një vend premtues për të ndërtuar dhe për të zhvilluar. “Mali i Zi është i gatshëm të bëhet pjesë e familjes evropiane, është i përkushtuar ndaj forcimit të lidhjeve transatlantike dhe vlerëson besimin dhe kontributin e komunitetit ndërkombëtar të biznesit”, përfundoi Çalasan. Drejtori i AmCham-it, Marko Miroçević, tha se gatishmëria e Malit të Zi për anëtarësim në BE matet me aftësinë e saj për të krijuar mundësi, dhe se raporti për klimën e biznesit 2023/2024 jep sinjale inkurajuese. “Sipas atij raporti, 83 për qind e anëtarëve tanë presin rritje dhe e shohin harmonizimin me standardet evropiane si rrugë drejt rregullave më të parashikueshme, administratës më efikase, luftës kundër ekonomisë informale dhe transformimit të përshpejtuar digjital. Ky optimizëm është në masë të madhe i lidhur me procesin e anëtarësimit në BE, i cili nuk ka qenë kurrë më afër se tani”, tha Miroçeviq. Ai shtoi se me miratimin e standardeve të BE-së, anëtarët e AmCham-it besojnë se do të zgjidhen ose do të zvogëlohen ndjeshëm disa nga pengesat kryesore që e pengojnë Malin e Zi të shfrytëzojë plotësisht potencialin e vet. “Anëtarët presin përparim konkret në sundimin e ligjit dhe sigurinë juridike, efikasitet shumë më të madh të administratës publike, luftimin e ekonomisë gri dhe transformim digjital të ekonomisë”, tha Miroçeviq. Në mesazhet përmbyllëse, Gjeloshaj theksoi se Mali i Zi do të vazhdojë të punojë në mënyrë aktive për pozicionim strategjik në sektorët kyç të zhvillimit, në mënyrë që të tërheqë investime, të nxisë rritje ekonomike dhe të sigurojë zhvillim të qëndrueshëm afatgjatë. “Po punohet intensivisht në përgatitjet për mbylljen e përkohshme të kapitujve tre dhe gjashtë në negociatat me BE-në, sepse i konsiderojmë ato kapituj kyç për krijimin e një ambienti të parashikueshëm dhe efikas për biznes, por edhe për forcimin e sigurisë juridike për investitorët dhe qytetarët”, përfundoi Gjeloshaj. Konferenca ACE 2025 për Shkëmbim të Praktikave më të Mira po mbahet nën organizimin e rrjetit AmChams in Europe, organizata ombrellë që bashkon 49 dhoma amerikane të tregtisë në 47 shtete të Evropës dhe Euroazisë, përfaqëson interesat e mbi 17 mijë kompanive amerikane dhe evropiane dhe punëson mbi 20 milionë njerëz.