“Zgjidhja për formimin e qeverisë është marrëveshja mes mandatarit dhe presidentit të shtetit”
Prej tvteuta14:16, 21 Shtator 2023
Kryetari i Malit të Zi Demokratik, Aleksa Beçiq, është takuar me ambasadoren e Britanisë së Madhe në Mal të Zi, Don Meken, të cilës i ka përcjellë se partia mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj sundimit të ligjit, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe se mbetet pa mëdyshje në kursin e politikës së jashtme të partisë që bazohet në forcimin e rrugës evropiane dhe euroatlantike të vendit.
Ai theksoi se demokratët përfaqësojnë një parti politike që ushtron pushtet në 80% të komunave në Mal të Zi, e cila inkurajon përfshirjen e të rinjve dhe grave dhe që mbi të gjitha është një parti me karakter qytetar që promovon multikulturalizëm dhe pluralizëm.
Presidenti Beçiq, siç thuhet në njoftim, vuri në dukje faktin se mandatet dhe funksionet janë kalimtare dhe nënvizoi se shtylla kryesore e demokratëve është pavarësia nga qendrat informale të pushtetit, që është tipari bazë që e dallon këtë parti dhe e bën atë të dallueshme në skenën politike malazeze.
Ambasadorja e sapoemëruar britanike Meken shprehu mirënjohjen e saj për pritjen e ngrohtë, duke theksuar rëndësinë e forcimit të kapaciteteve institucionale të Malit të Zi dhe sundimit të ligjit. Ajo theksoi se Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar për të ardhmen evropiane të Malit të Zi.
Ambasadorja Meken shprehu shpresën se së shpejti do të formohet Qeveria, e cila do të përshpejtojë procesin e reformave të nevojshme dhe do të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve të Malit të Zi.