Aktuale Më shumë

“Zgjerimi tani është çështje e sigurisë evropiane”

Prej tvteuta13:35, 28 Gusht 2024

Presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviq dhe ministrja austriake për Evropën Karoline Edshtadtler ranë dakord se kërcënimet e sigurisë së BE-së nga Rusia dhe Kina ndikuan në ndryshimin e politikës së zgjerimit, e cila u bë një çështje e sigurisë evropiane.

Duke folur për “Euronews” në margjinat e Forumit Europian Alpbach, Presidenti i Malit të Zi theksoi se viti 2028 është një synim i qartë dhe ambicioz, por realist për anëtarësimin e vendit në BE.

Millatoviq tha se është shumë optimist për mbylljen e kapitujve të mëtejshëm (në negociatat për anëtarësimin me BE) para fundit të këtij viti dhe se Mali i Zi mund të përmbushë atë që i nevojitet për t’u bërë anëtar në vitin 2028.

Ai tha se shpresa e tij qëndron edhe në faktin se pas pushtimit rus të Ukrainës, Brukseli “më në fund e kuptoi, si shumë kryeqytete, se zgjerimi lidhet me sigurinë e kontinentit evropian”.

Dhe anëtarët e BE-së deklarojnë avantazhet e sigurisë nga zgjerimi i Unionit

“Që nga fillimi i agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, ne kemi pasur gjithashtu presion të jashtëm mbi sigurinë tonë të brendshme – ai faktor ishte një nxitje e vërtetë për procesin e anëtarësimit,” tha Edshtadler.

Siç shtoi ajo, kjo çoi në ndryshimin e mënyrës së të menduarit te anëtarët që janë larg Ballkanit Perëndimor, por që e panë menjëherë ndikimin dhe rëndësinë e këtij rajoni për sigurinë në mbarë Evropën.

Eshtadler tha gjithashtu se “ne kemi parë ndikimin në rritje të Kinës dhe Rusisë” në Serbi dhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Ata punojnë së bashku me ato vende në projektet e infrastrukturës dhe ne si BE nuk duam që ky zhvillim të intensifikohet – prandaj duhet t’i tregojmë Ballkanit Perëndimor përkushtimin tonë ndaj procesit të anëtarësimit”, tha ministrja austriake për “Euronews”.

Millatoviq tha se anëtarësimi në BE është një histori “më e madhe se Mali i Zi”, duke shtuar se është e nevojshme t’u tregohet kandidatëve për anëtarësim “të cilët presin më tej në radhë” se “anëtarësimi është i mundur dhe i gjallë”, sepse “një histori e suksesshme është e rëndësishme”.

“Kur dikush më pyet pse e bëj këtë punë, përgjigja është që Mali i Zi të futet sa më shpejt në BE”, theksoi presidenti malazez.

Tema e Forumit Evropian Alpbach të këtij viti (17-30 gusht) “Momenti i së Vërtetës” pasqyron vendimet kryesore që duhet të merren në vitin 2024, duke qenë se me më shumë se 70 zgjedhje në mbarë botën, ky vit është vendimtar, tha organizatori.

Forumi është sërish i fokusuar në sfidat kryesore – klima, financat dhe ekonomia, demokracia dhe shteti i së drejtës, si dhe siguria.

 

  • 1

    Radio