Aktuale Më shumë

Zgjedhja e kreut të Kuvendit. Partitë presin Spajiq

Prej tvteuta18:12, 29 Gusht 2023

Kryetari i ri i Kuvendit të Malit të Zi nuk do të zgjidhet derisa mandatari dhe lideri i Lëvizjes Evropa Tani (PES) Millojko Spajiq të specifikojë shumicën, çka më pas do të përfundonte me një marrëveshje koalicioni për formimin e qeverisë – njoftojnë mediat duke u bazuar në burime pranë partive politike që marrin pjesë në bisedime.

Kandidat për kryetar të Kuvendit, siç bëri të ditur mandatari fundjavën e kaluar, është kryetari i Demokratëve, Aleksa Beçiq.

Megjithatë, për ta zyrtarizuar atë propozim, do të jetë e nevojshme të zbatohen disa hapa. Sipas informacioneve të “Vijesti”, përbërësit e mundshëm të qeverisë së ardhshme fillimisht presin që Spajiq t’i informojë zyrtarisht nëse ka shumicën për zgjedhjen e kabinetit dhe nëse po – kush do ta bëjë shumicën.  Më pas ata do të deklaroheshin për këtë në organet e tyre partiake, në mënyrë që më pas të nënshkruanin një marrëveshje koalicioni për pushtet.  Vetëm atëherë do të plotësoheshin kushtet që Beçiq të propozohej zyrtarisht si njeriu i parë i parlamentit.

Seanca e re e Kuvendit u mbajt më 27 korrik, por kryeparlamentari nuk u zgjodh sepse në atë kohë nuk ishte paraqitur asnjë propozim për këtë. Spajiq, pasi negociatat e tij me koalicionin Për Ardhmërinë e Malit të Zi (ZBCG) dështuan, njoftoi se do të formojë qeverinë me Demokratët, Partinë Socialiste Popullore (SNP) dhe partitë e pakicave, dhe se pret përkrahjen e 44 deputetë.  Megjithatë, pasi Mali i Zi i Bashkuar dhe Alternativa, të cilat ishin në listën elektorale të LET, refuzuan t’i japin mbështetje, shumica ra në 42 deputetë, që përsëri janë mjaftueshëm për të votuar përbërjen e qeverisë.

 

  • 1

    Radio