Vuçiq: Nuk ka shanse që çështja e targave të zgjidhet para 1 shtatorit
Prej tvteuta31 August 2022

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nuk sheh mundësi që çështja e targave me Kosovën të zgjidhet para 1 shtatorit dhe shtoi se ai beson se Kosova me shumë gjasa do të nisë fushatën për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia. “Nuk mendoj se do të ketë shumë sukses në këtë çështje. Edhe pse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në Bruksel se do të jetë i suksesshëm dhe se serbët do të jenë të interesuar që t’i ndryshojnë targat. Le të shohim, është një proces që do të zgjasë. Nuk ka asnjë shans që kjo çështje të zgjidhet para 1 shtatorit”, deklaroi Vuçiq. Pas ndërmjetësimit të përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, më 27 gusht Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për çështjen e dokumenteve të identitetit. Megjithatë, vendimi i Prishtinës për riregjistrimin e makinave që përdorin targa të lëshuara nga Serbia, pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator. Qeveria e Kosovës ka argumentuar se qytetarët do të kenë afat prej dy muajsh për t’i riregjistruar makinat në targa RKS- Republika e Kosovës. Serbia ka propozuar që serbët në veri të pajisen me targa KS – që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës – por, Kurti ka hedhur poshtë këtë propozim. Vuçiq tha se mbetet të shihet nëse do të ketë ndonjë ndryshim pas samitit të vendeve të Ballkanit dhe vizitës së presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe disa përfaqësuesve të tjerë evropianë, por shtoi se atij i duket se aktualisht nuk ka mundësi për përparim.