Viti shkollor nis sot, me grevë paralajmëruese
Prej tvteuta08:06, 4 Shtator 2023
Sot fillon viti shkollor për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në Mal të Zi.
Ministri i Arsimit në mandatin teknik, Miomir Vojinoviq, tha se gjithçka është gati për fillimin e vitit të ri shkollor në 163 shkolla fillore dhe mbi 50 shkolla të mesme.
Vojinoviq tha se është bërë shumë për zgjidhjen e problemit të regjistrimeve të mbingarkuara në shkolla, si dhe për të parandaluar dhunën.
Viti i ri shkollor do të nisë me një grevë paralajmëruese të pedagogëve, të cilët duan t’u vënë në dukje vendimmarrësve problemet e shumta në arsim, e cila sipas vlerësimeve të tyre prej dekadash është anashkaluar.
Sindikata e Arsimit u bëri thirrje anëtarëve të bashkohen në një grevë paralajmëruese në ditën e parë të shkollës, e cila do të zgjasë jo më shumë se një orë.
Kalendari shkollor për vitin 2023/2024 është planifikuar të përfundojnë më 14 qershor të vitit pasardhës.
Në kalendarin shkollor, të publikuar në faqen e Qeverisë, thuhet se viti shkollor për nxënësit e klasave të fundit përfundon më 17 maj.
Sipas atij dokumenti, pushimet dimërore do të fillojnë më 1 janar dhe do të përfundojnë më 21 janar, ndërsa pushimet verore do të zgjasin nga 17 qershori deri më 31 gusht të vitit të ardhshëm.