Ulqini është binjakëzuar me qytetin amerikan Staten Island
Prej tvteuta13:24, 3 Shkurt 2024
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Omer Bajraktari dhe kryetari i Komunës së Staten Island, Vito Fossela, sot në Staten Island të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nënshkruan marrëveshjen për binjakëzimin e këtyre dy komunave.
Staten Island është lagja më jugore e qytetit të Nju Jorkut, vendi i komunitetit më të madh të diasporës nga komuna e Ulqinit, numri i të cilit llogaritet në disa mijëra.
Në nënshkrimin e marrëveshjes mori pjesë edhe ministri për të drejtat e njeriut dhe të pakicave në Qeverinë e Malit të Zi, Fatmir Gjeka.
Në ceremoninë e mbajtur me atë rast, Bajkratari tha se sot po festohet nënshkrimi i marrëveshjes së binjakëzimit, e cila forcon lidhjet mes këtyre dy komunave për të mirën e qytetarëve të tyre.
Ai në veçanti falënderoi shoqatat e diasporës të komunës së Ulqinit, pa mundin dhe punën e të cilave nuk do të ishte i mundur ky vëllazërim.
“Më gëzon jashtëzakonisht fakti që shoqatat e diasporës së Ulqinit janë më aktive se kurrë, dhe që marrin pjesë në vazhdimësi në realizimin e projekteve të dobishme shoqërore në vendlindjen e tyre, si ndihma e njerëzve në nevojë, shkëmbimi kulturor, shkollat gjuhësore dhe projekte të tjera, për financimin i të cilave është ndarë qindra mijëra dollarë amerikanë”, shtoi ai.
Fossella tha se ngjashmëritë mes Staten Island dhe Ulqinit janë shumë të mëdha.
“Po flasim për komuna multikulturore, banorët e të cilave jetojnë në harmoni dhe kontribuojnë në zhvillimin e komuniteteve të tyre”, përfundoi ai.