U mbajt punëtoria për përdorimin e “Kullës së shqipes”
Prej tvteuta19:39, 4 Nëntor 2023
Sot, në Ulqin u mbajt punëtoria për përdorimin e “Kullës së shqipes”, e organizuar nga Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave në Mal të Zi, në bashkëpunim me kompaninë Albasoft shpk nga Prishtina.
Pjesëmarrësit në këtë punëtori ishin përfaqësues të shkollave shqipe, punëtorë nga administrata shtetërore, studentë e qytetarë të interesuar për përdorimin e veglave digjitale, të blera së fundmi nga Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave në Mal të Zi.
Ata u shprehën tejet të kënaqur nga mundësia e ofruar për përdorim të veglave digjitale bashkëkohore për gjuhën shqipe.
Përfaqësues të kompanisë bënë prezantimin praktik të kësaj platforme, ndërsa përfaqësuesi nga Ministria e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave në Mal të Zi z. Arben Xhurreta, në emër të ministrisë dhe Ministrit tha “Ne si ministri kemi qenë çdoherë afër jush, dhe brenda mundësive tona kemi bërë të mundshme që këtë platformë moderne digjitale t’ua ofrojmë çdo qytetari të Malit të Zi, në kompjuterat, laptopët, apo telefonat tuaj.”
Po ashtu, Ministria ka shprehur interesim që të organizojë edhe disa punëtori të tilla në disa komuna me shumicë shqiptare, me qëllim ngritjen e cilësisë gjuhësore dhe mbështetjen e drejtpërdrejtë në ruajtjen e gjuhës shqipe.
Ministria fton të gjithë qytetarët e Malit të Zi të përdorin këto vegla në platformën www.gjuhashqipe.com