TURNEU MBARËKOMBËTAR NË FUDBOLL – U-15, ARBERESHET E ZARES PER HERE TE PARE
Prej tvteuta15:15, 1 Prill 2019
Për nderë të ditës së Ulqinit, e shtunda e parë e muajit prill, në Ulqin do të mbahet Turneu Mbarëkombëtar në futboll për grupmoshat U-15. Është Mbarëkombëtar sepse përfshihen të gjitha trojet shqiptare duke filluar nga Shqipëria që përfaqësohet nga qyteti i Durrësit, Kosova përfaqësohet nga Peja, shqiptarët e Maqedonisë i përfaqëson qyteti i Tetovës, Lugina e Preshevës përfaqësohet nga Trnovci i komunës së Bujanovcit dhe shqiptarët e Malit të Zi përfaqësohen nga Ulqini. Për herë të parë këtë vit në Ulqin na nderojnë me pjesëmarrjen e tyre vëllezërit tonë nga Arbreshi i Zarës të ngujuar atje nga viset e ndryshme të Krajës para 300 viteve.
Ky Turne filloi në vitin 2003 në Durrës me moton “ Luajmë fudboll për të njohur trojet tona” dhe vërtetë kjo u jetësua, sepse Turneu çdo vit mbahet në një qytet tjetër. Për të arritur qëllimin e motos fëmijët vendosen në famijet e moshatarëve të tyre ashtu që këtë vit fëmijët pjesëmarrës do të vendosen në familjet ulqinake. Fëmijët ulqinak në të 12-të edicionet e kaluara janë vendosur me plotë dashuri e rrespekt në familjet durrsake, tetovare, pejane e trnovciane. Ndaj, kësaj radhe u takon familjeve ulqinake t’i pranojnë këto fëmijë në shtëpitë e tyre me plot respekt e dashuri.
Turneu fillon të premten, më 5 prill 2019 në ora 10,30 në terenin sportiv “OLIMPIC” në Plazhë të Madhe, ndërsa pritja e ekipeve pjesëmarrëse do të bëhet të enjten nga ora 16-17 para Qendres për Kulturë.
Do të ishte respekt për ulqinakët që në mënyrë masovike të dalin e t’i presim të gjitha ekipet e në veçanti ekipin e Arbresheve të cilët faktikisht kthehen në atdheun e tyre pas 300 viteve.
Hajrullah Hajdari