Trump përjashton disa media nga Shtëpia e Bardhë
Prej tvteuta25 February 2017
Vetëm pak pasi presidenti Donald Trump premtoi se do të bënte diçka ndaj medieve “dinake”, të cilat i quajti sërish si “armike” të popullit amerikan, CNN njoftoi se ishte ndaluar të hynte në seancën informuese të Shtëpisë së Bardhë të kësaj të premteje. Sipas CNN, edhe “New York Times”, “Los Angeles Times” dhe “Politico” janë penguar të futen në Shtëpinë e Bardhë, duke mos iu dhënë asnjë argument për këtë zgjedhje, përveçse “nuk ishin në listë” për informimet jashtë kamerave. “Breitbart”, “Fox News”, “Washington Times” dhe “One America News Network” ishin mes atyre që iu lejua hyrja, raporton CNN. Shoqata e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë ka protestuar ndaj kësaj lëvizjeje, ndërsa disa media si “Associated Press” dhe revista “Time” njoftuan bojkotimin e seancës informuese.