“Të shqetësuar për tensionet aktuale ndëretnike”

Prej tvteuta13:32, 17 Shtator 2024

Nënkryetari i Qeverisë së Malit të Zi për Punë të Jashtme dhe Evropiane, Filip Ivanoviq dhe ambasadori i Serbisë në Mal të Zi, Nebojsha Rodiq, në një bisedë të hapur ritheksuan përkushtimin e tyre për zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, të forcuara edhe nga synimet e përbashkëta evropiane dhe bashkëpunimin rajonal.

Në takim u shkëmbyen mendime edhe për gjendjen aktuale në veri të Kosovës, ku u shpreh shqetësimi për tensionet aktuale ndëretnike, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Ivanoviq theksoi rëndësinë e gjetjes së zgjidhjeve të qëndrueshme përmes dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës nën kujdesin e Bashkimit Evropian, duke theksuar se Mali i Zi mbështet fuqishëm zgjidhjen paqësore të çështjeve të diskutueshme. Ai nënvizoi rëndësinë e respektimit të të drejtave të komunitetit serb në veri të Kosovës, me shpresën se në periudhën e ardhshme do të ketë një deeskalim të tensioneve dhe një zgjidhje politike që do të mundësojë ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Sipas qeverisë, Rodiq prezantoi planin pesëpikësh të Republikës së Serbisë, i cili ka për qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës së komunitetit serb. Ai gjithashtu theksoi se Serbia mbetet e përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit dhe se do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshme për të shmangur përkeqësimin e situatës së sigurisë.

U konstatua se dialogu dhe bashkëpunimi, me respektimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve, janë elemente kyçe për zgjidhjen afatgjatë të problemeve dhe ruajtjen e stabilitetit në rajon. Bashkëbiseduesit shprehën shpresën e përbashkët se përpjekjet në këtë drejtim do të çojnë në rezultate konstruktive.

  • 1

    Radio