Të premten mbrëma festivali i filmit
Prej tvteuta11:27, 23 Shtator 2015
Nga data 25 deri më 28 shtator, do të zhvillohet edicioni i parë i festivalit të filmit „SEANEMA Film Festival“, në Plazhin e Otrantit në Ulqin, organizuar nga OJQ “iACT”.
Edicioni i parë vjen me sloganin “Sfido mendjen e korruptuar” (Challenging the corrupted mind) dhe tematizon cështje sociale, sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe bashkëpunimin në rajon.
“iACT” zgjedh që nëpërmjet kinematografisë të kontirbuojë për ndërgjegjësimin e komunitetit në lidhje me të drejtat dhe detyrimet themelore qytetare, si edhe nëpërmjet shpirtit krijues të luftojë ndërgjegjen e korruptuar.
Në kuadër të programit kater ditor do të shfaqen filma dokumentarë, premiera botërore që janë shfaqur më heret këtë vit në DocsBarcelona, CPH:DOX Copenhagen, Zurich Film Festival, Milano Film Festival.
Koordinatorja e “iACT”, Drita Llolla thekson se përzgjedhja e temës që do të trajtohet gjatë festivalit nuk ndodhi rastësisht. “Kur shoqëria nuk arrin ta dallojë korrupsionin dhe e konsideron mjet të mirëqënë për të arritur cfarëdo lloj qellimi, mund të themi që korrupsioni i ka mbërthyer rrezikshëm mendjet tona. Kemi zgjedhur që nëpërmjet filmit dokumentar të pasqyrojmë histori reale dhe njëkohësisht frymëzuese të luftës kundër korrupsionit, si shembulli i ish kryebashkiakut të Bogotas në filmin “Life is Sacred”.
Antanas Mockus frymëzoi “një ushtri” të rinjsh që shpresonin për ndryshim, dhe me anë të pantomimeve, lapsave, kërcimit dhe kostumeve të superheronjëve luftoi korrupsionin dhe dhunën në Bogota duke e ulur nivelin e krimit me 70%. Shpjegimi i tij ishte i thjeshtë, Kolumbianet kishin më frikë të dukurit qesharak, sesa ndëshkimin.
Festivali do të ketë të ftuar që do jenë pjesë e panelit të hapur me publikun dhe do të diskutojnë në lidhje me cështjet që trajtohen në dokumentarët e paraqitur. Katherin Miranda, një nga protagonistet kryesore te filmit “Life is Sacred” do të jetë e ftuara e festivalit, gjithashtu Elena Zervopoulou, regjizor e filmit „Greece Days of Change“ është një tjetër e ftuar dhe paneliste e festivalit.
Gjatë festivalit do të shfaqen edhe dokumentarët: Falciani’s Tax Bomb dhe The Agreement.
Festivali mbyllet me datë 28 shtator, me shfaqjen e filmit “A Whisper to a Roar” film i autorit amerikan, fitues i cmimeve të ndryshme, Ben Mozis.