Të gjithë mekanizmat synojnë përmbushjen e standardeve të përkohshme
Prej tvteuta10:48, 13 Mars 2024
Të gjithë mekanizmat kombëtarë janë të drejtuar vetëm drejt një qëllimi – përfundimi i proceseve reformuese dhe përmbushja e standardeve të përkohshme në kapitujt 23 dhe 24, tha ministrja e Çështjeve Evropiane Maida Gorçeviq.
Në takimin e Nënkomitetit për Drejtësi, Liri dhe Siguri ndërmjet përfaqësuesve të Malit të Zi dhe Komisionit Evropian (KE), ajo tha se Mali i Zi është plotësisht i përkushtuar për përmbushjen e kritereve të përkohshme dhe se e gjithë energjia është e fokusuar në përmbylljen e procesit legjislativ dhe reforma institucionale.
Gorçeviq theksoi se Mali i Zi është plotësisht i përkushtuar për të dhënë rezultatet që Bashkimi Evropian (BE) pret nga shteti.
“Për shkak se qëllimi ynë është i qartë, të jemi gati për Konferencën e ardhshme Ndërqeveritare dhe të marrim Raportin për Vlerësimin e Përmbushjes së Standardeve të Përkohshme (IBAR)”, tha ajo.
Sipas Gorçeviqit, shansi që ka Mali i Zi është historik dhe vendimtar dhe nuk duhet të lejohet të humbasë.
“Të vetëdijshëm se i gjithë procesi i negociatave është i kushtëzuar pikërisht nga progresi në fushën e sundimit të ligjit, duam t’ju sigurojmë se të gjithë mekanizmat kombëtarë janë të drejtuar vetëm drejt një qëllimi – përfundimit të proceseve reformuese në këtë fushë dhe përmbushjes së standardeve të përkohshme në kapitujt 23 dhe 24”, theksoi Gorçeviq.
Ajo tha se janë të bindur se puna e Malit të Zi do të njihet në mënyrën e duhur.
“Si dhe kushtet për mbajtjen e një Konference të re Ndërqeveritare nën presidencën belge, si dhe për marrjen e IBAR-it dhe standardeve përfundimtare shoqëruese, do të plotësohen deri në qershor”, tha Gorçeviq.
Kjo, shtoi ajo, do të hapte një perspektivë të re për negociatat dhe Mali i Zi do të hynte në fazën e mbylljes së përkohshme të kapitujve të rinj.
Ajo theksoi se plotësimi i kritereve të përkohshme dhe progresi në integrimet evropiane do të sillte motivim shtesë për Malin e Zi në rrugën e tij evropiane.
“Rezultatet e Qeverisë dhe Kuvendit në muajt e kaluar në fushën e sundimit të ligjit treguan se të gjitha sfidat mund të tejkalohen kur ka vullnet të fortë politik, vendosmëri dhe bashkëpunim të sinqertë për arritjen e qëllimeve strategjike kombëtare”, tha Gorçeviq.
“Edhe pse afatet janë të shkurtra dhe pritshmëritë janë të larta, ne besojmë se mund të realizojmë të gjithë hapat e munguar që çojnë në përmbushjen e standardeve të mbetura të përkohshme në kapitujt 23 dhe 24”, tha Gorçeviq.
Siç tha ajo, në vijën e hapave të identifikuar që çojnë në përmbushjen e standardeve të përkohshme të mbetura, janë formuar grupe pune dhe po bëhen përpjekje, me konsultime ditore me KE-në, në mënyrë që qeveria të vendosë ligje sistematike në terren të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar deri në fund të prillit.