Rajoni/Bota Më shumë

Tanket ruse hynë në Ukrainën Lindore; A do të vazhdojnë apo do të ndalen aty?

Prej tvteuta22:26, 22 Shkurt 2022

KIEV – Tanket ruse hynë në errësirë në Ukrainën lindore pa gdhirë dita e martë, duke pretenduar se janë në një mision paqeruajtës dhe me qëllimin për të mbrojtur dy republikat e vetëshpallura, të cilave Moska u dha formë tetë vite më parë dhe që tashmë i njohu si shtete të pavarura.

Por, pas një fjalimi luftarak që zgjati 56 minuta, gjatë të cilit udhëheqësi rus mohoi edhe vetë ekzistencën e një vendi të quajtur Ukrainë, pak njerëz në Kiev kishin ndonjë dyshim se autokolonat e tankeve herët apo vonë do të shkojnë përtej rajonit Donbas të Ukrainës dhe se vendimi i zotit Putin për të njohur pavarësinë e republikave separatiste të Donjetskut dhe Luhanskut ishte vetëm parathënia e një aksioni më të gjerë ushtarak. Në traktatet e miqësisë që zoti Putin nënshkroi me republikat separatiste, Moska angazhohet se do të mbrojë kufijtë e tyre.

Zyrtarët e Kremlinit nuk dëshiruan të qartësonin të martën se ku fillojnë dhe ku mbarojnë kufijtë e republikave separatiste, apo nëse territori i tyre përfshin të gjithë rajonin e Donjetskut dhe Luhanskut apo vetëm territorin që ato mbajnë aktualisht nën kontroll ushtarak, që në realitet është më pak se gjysma e rajonit të Donbasit. I pyetur nga gazetarët në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, shmangu qartësimin e kësaj çështjeje. Kur u pyet nëse qyteti port Mariupol, aktualisht nën kontrollin e forcave ukrainase, konsiderohet si pjesë e republikave të reja, ai tha: “Nuk kam asgjë për të shtuar”.

Diplomatët perëndimorë dhe banorët në Donjetsk konfirmuan shfaqjen e tankeve ruse gjatë orëve të para të së martës.

Ndërsa ngërçi gjeopolitik disa-mujor për Ukrainën ka kaluar kështu në një fazë edhe më të rrezikshme, vendet perëndimore u bashkuan për të shprehur publikisht dënimin e tyre njëzëri dhe disa qeveri të tjera perëndimore urdhëruan largimin e diplomatëve të tyre nga Kievi dhe zhvendosjen drejt qytetit Lviv në Ukrainën Perëndimore. Përzgjedhja e qytetit Lviv, i cili gjendet shumë pranë kufirit polak, reflekton shqetësimet e tyre se nuk do të duhet shumë kohë që forcave ruse të vendosura përgjatë kufijve ukrainas t’u jepen urdhëra për të lëvizur ndoshta drejt kryeqytetit ukrainas.

Australia u bë vendi më i fundit që zhvendosi misionin e saj, duke iu bashkuar kështu Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe vendeve të tjera që transferuan ambasadorët e tyre dhe stafin më pranë sigurisë që ofron Polonia fqinje.

/Zëri Amerikës

  • 1

    Radio