Takimi Rama-Blinken: Marrëdhëniet e mira të avancohen
Prej tvteuta09:21, 16 Shkurt 2022

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në vijim të vizitës në SHBA u takua me Sekretarin Amerikan të Shtetit Antony Blinken. Sekretari Blinken i uroi mirëseardhjen kryeministrit Rama dhe shprehu kënaqësinë për anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB për periudhën 2022-2023.
Ai vlerësoi angazhimin dhe kontributin e Shqipërisë ndër vite, në organizma të shumta të Kombeve të Bashkuara, në të mirë të paqes dhe mirëkuptimit mes vendeve. Në mënyrë të veçantë, Blinken vlerësoi gatishmërinë e kryeministrit Rama dhe të qeverisë shqiptare për të ofruar strehë dhe mikpritje për refugjatët afganë, në Shqipëri.
Kryeministri Rama dhe Sekretari Blinken vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes vendeve të konkretizuara në një sërë marrëveshjesh partneriteti me interes të ndërsjellë dhe theksuan angazhimin e përbashkët për thellimin e tyre të mëtejshëm.