Aktuale Më shumë

Sulmuesit janë identifikuar nga reagimi i menjëhershëm i policisë

Prej tvteuta12:15, 7 Janar 2024

Ministri i Brendshëm Danillo Sharanoviq ka bërë të ditur se me reagimin e menjëhershëm të policisë janë identifikuar autorët e sulmit të sotëm ndaj shtetasve shqiptarë në Zelenicë.

Ai ka thënë se Drejtoria e Policisë ka treguar nivel të lartë profesionalizmi dhe efikasiteti në hetimin e këtij incidenti në Zelenicë.

“Që në momentin që mësova për rastin, kam qenë në komunikim të vazhdueshëm me Ministrin e Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Taulanta Bala, të cilit i kam përcjellë një mesazh të qartë se qytetarët e Shqipërisë janë të sigurt dhe se do të bëjmë gjithçka për të gjetur autorët ”, ka thënë Sharanoviq në një deklaratë për media.

Sipas tij, kjo ngjarje, e cila në pamje të parë mund të interpretohej si sulm në baza kombëtare, në fakt ishte rezultat i një incidenti trafiku.

Kjo tregon, thekson Sharanoviq, rëndësinë e hulumtimit të plotë dhe të paanshëm përpara se të nxirret ndonjë përfundim.

“Është e rëndësishme të theksohet se veprimet e shpejta dhe efikase të policisë në identifikimin dhe ndjekjen penale të të dyshuarve janë vendimtare për ruajtjen e rendit dhe ligjit, si dhe për forcimin e besimit të qytetarëve tek forcat tona të sigurisë. Ngjarje të tilla janë një mundësi për të demonstruar përkushtimin tonë ndaj parimeve të drejtësisë, barazisë dhe profesionalizmit në të gjitha aspektet e administratës shtetërore. Jam krenar për punën e policëve tanë dhe përkushtimin e tyre për mbrojtjen e të gjithë qytetarëve dhe turistëve, pa dallim kombësie apo prejardhjeje”, tha ai.

Sharanoviq ka falënderuar punonjësit e policisë për reagimin efikas në këtë rast, por edhe për përpjekjet e tyre të përgjithshme gjatë festave të fundvitit, në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike në mbarë vendin.

  • album-art

    00:00
  • 1

    Radio