Steinmeier: I kënaqur me gjeneratën e re të politikanëve në Mal të Zi
Prej tvteuta13:19, 21 Nëntor 2023
Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier tha se është i kënaqur me gjeneratën e re të politikanëve në Mal të Zi që mund të sjellin energji të reja në Ballkanin Perëndimor dhe vuri në dukje se Gjermania e mbështet fuqishëm Malin e Zi. Ai sot me nderimet më të larta shtetërore ka pritur në rezidencën qeveritare Belvi presidentin malazez Jakov Millatoviq.
U zhvillua një takim dypalësh i delegacioneve të dy vendeve, ku tema të diskutimit ishin forcimi i bashkëpunimit politik dhe ekonomik si dhe mbështetja e Gjermanisë, si partnere dhe aleate e rëndësishme, në përshpejtimin e rrugës evropiane të Malit të Zi.
Presidenti Millatoviq e falënderoi presidentin Steinmeier për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për integrimin evropian të Malit të Zi dhe shprehu pritshmërinë që ndihma e këtij vendi të mos mungojë në periudhën e ardhshme që vendi ynë të bëhet anëtari i parë i ardhshëm i Bashkimit Evropian.
“Mali i Zi, si vendi që ka avancuar më shumë në negociatat me BE-në, qëndron në parimin e regatës dhe pritshmëria jonë është që deri në vitin 2028 të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian. Ky do të ishte një mesazh i mirë për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe një sinjal i qartë se reformat po japin rezultat dhe se procesi i zgjerimit është jetik”, tha Millatoviq.
Presidenti i Gjermanisë e uroi Millatoviqin për zgjedhjen e tij në detyrë në kohëra, siç tha ai, sfiduese në nivel global dhe shtoi se është i kënaqur me angazhimin për forcimin e kredibilitetit të Malit të Zi si anëtare e NATO-s.
Dy zyrtarët vlerësuan se marrëdhëniet dypalëshe mes Malit të Zi dhe Gjermanisë janë të shkëlqyera dhe se në periudhën e ardhshme do të punohet në forcimin e besimit dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.
Millatoviq vlerësoi se vizita në Berlin paraqet një shtysë të rëndësishme për forcimin e dialogut politik ndërmjet dy vendeve, veçanërisht në kohën e formimit të fundit të Qeverisë së 44-të të Malit të Zi. Ai tha se orientimi pro-evropian i mazhorancës së re politike nuk është vetëm deklarativ, por i orientuar drejt proceseve kyçe reformuese.
Ai theksoi përputhshmërinë 100% të Malit të Zi me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe vuri në dukje rëndësinë e procesit të Berlinit, i cili ka një rol të pazëvendësueshëm në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe lidhjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor me BE-në në rrugën e integrimit. Ai shprehu pritshmërinë që Parlamenti i Malit të Zi të ratifikojë së shpejti tre marrëveshjet që dalin nga procesi i Berlinit”, thuhet në Shërbimin Informativ të Presidentit.
Millatoviq theksoi bashkëpunimin aleat të dy vendeve brenda NATO-s dhe angazhimin e tyre të përbashkët ndaj vlerave demokratike përmes mbështetjes së padiskutueshme për Ukrainën, e cila po përballet me agresionin ushtarak rus.
Ai theksoi se Mali i Zi dëshiron një prani edhe më të fortë të Gjermanisë në ekonomi përmes investimeve më të mëdha nga ai vend dhe ritheksoi interesimin e tij për hapjen e një përfaqësie të Odës Ekonomike Gjermane në Mal të Zi.
Millatoviq e ftoi Steinmeierin të bëjë një vizitë zyrtare në Mal të Zi vitin e ardhshëm.