Spajiq: Ka ende kohë, po e sigurojmë shumicën
Prej tvteuta14:29, 20 Shtator 2023
Përfaqësuesi për përbërjen e qeverisë së Malit të Zi, kryetari i Lëvizjes Evropa Tani, Millojko Spajiq, ka bërë të ditur se ka ende shumë kohë për të formuar qeverinë dhe se po punohet për sigurimin e shumicës. Ai nuk ka dashur të komentojë informacionet për përjashtimin e deputetëve të Lëvizjes Evropa Tani, Jevrosima Pejoviq dhe Radinka Qinqur nga partia.
“Po flasim intensivisht me të gjithë partnerët, 44 deputetë e mbështetën kandidaturën, po punojmë për maxhorancën dhe shpresojmë që gjërat të mbyllen sa më shpejt, që qytetarët të ndjejnë sa më shpejt gjërat konkrete për inflacionin, hyrjen në Bashkimin Evropian…”, ka thënë Spajiq.
Pas bisedimeve me ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE), gazetarët e pyetën Spajiqin nëse ka pasur ndonjë presion nga ambasadorët e huaj për formimin e qeverisë.
“Nuk ka presion, janë vende partnere, janë shumë të interesuar për Malin e Zi, por ne sillemi joserioz në skenën politike, se edhe ata janë të shqetësuar se çfarë do të ndodhë me ne”, tha Spajiq.
Synimi primar i politikës së jashtme është anëtarësimi në BE dhe, siç theksoi ai, nuk duhet të jetë e çuditshme për askënd që të shkëmbehen mendime me partnerë nga vendet evropiane.
“Ne morëm një mesazh të fortë optimizmi dhe se Mali i Zi ka një shans nëse formon një qeveri,” u tha gazetarëve mandatari.
Ai nuk ka dashur të përgjigjet në pyetjen nëse ka nisur mbledhja e nënshkrimeve në mbështetje të kryetarit të Kuvendit.