Aktuale Më shumë

Sonte në mjediset e Muzeut në Kalanë e Ulqinit fillon edicioni i 30-të jubilar i manifestimit letrar “Kalimera Poetike – Basri Çapriqi”

Prej tvteuta10:44, 27 Korrik 2022

Sonte  në mjediset e Muzeut në Kalanë e Ulqinit fillon edicioni i 30-të jubilar i manifestimit letrar “Kalimera Poetike – Basri Çapriqi”. Ky manifestim , të cilin e organizon Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, do të zgjasë tri netë.

Kryetari i shoqatës Ismet Kallaba thotë se mysafirë të këtij edicioni janë shkrimtari Ylljet Aliçka nga Shqipëria, poetja Donika Dabishevci nga Kosova dhe shkrimtari Dragan Radulloviq nga Mali i Zi, të cilëve do t’u kushtohen mbrëmje autoriale.

Po ashtu do të bëhet përurimi i antologjisë “Kalimera rrëfen”, me prozë të përzgjedhur nga autorët pjesëmarrës të këtij manifestimi ndër vite.  “Kalimera Poetike – Basri Çapriqi” është ngjarja më e rëndësishme në fushën e letërsisë ndër shqiptarët në Malin e Zi.

Ajo i ka dhënë impuls jetës kulturore në Ulqin, sidomos gjatë verës, dhe ia ka rritur namin Ulqinit në rrafshin kulturor gjithëkombëtar.

Përgjatë viteve, në skenën e “Kalimerës Poetike” kanë parakaluar shumë shkrimtarë të shquar, pastaj piktorë akademikë, disa prej të cilëve nuk jetojnë më.

Janë ata që me emrin dhe veprën e tyre kanë krijuar historinë e këtij manifestimi.“Kalimera Poetike – Basri Çapriqi” ka për qëllim promovimin e letërsisë shqipe dhe të letërsive që krijohen në vendet dhe gjuhët e tjera, por edhe njohjen e shkrimtarëve me njëri-tjetrin dhe krijimtarinë e tyre.

Në të trajtohen edhe probleme të letërsisë, hidhen ide për bashkëpunime etj. Pas dy viteve, për shkak të pandemisë, “Kalimera Poetike – Basri Çapriqi” rikthehet në Kalanë e Ulqinit, në vendin ku dhe në kohën kur organizohet zakonisht.Edicioni i këtij viti mbahet në kuadër të programit të Festivalit “Skena Verore”, pohon Kallaba.

  • 1

    Radio