Kulturë Më shumë

Simpozium shkencor për albanologun e njohur kroat, Milan Shuflaj

Prej tvteuta18:43, 14 Maj 2022

Në ambientet e hotelit “Albatros” në Ulqin, u mbajt simpoziumi shkencor kushtuar albanologut të njohur kroat, Milan Shuflaj, projekt i koordinuar nga  Tahir Tahiri, më përkrahje të KKSH, Fondit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pakicave dhe Këshillit Kombëtar të Kroatëve në Mal të Zi.

Në simpozium, përveç studiuesëve nga Mali i Zi, morën pjesë edhe albanologë të shquar nga rajoni.

Simpoziumi në fjalë do të shërbejë për të hedhur dritë mbi punën shkencore dhe kontributin e Milan Shuflaj për shqiptarët, i cili ka hedhur tezën e padiskutueshme për prejardhjen ilire të popullit tonë, tha koordinatori i projektit, Tahir Tahiri.

“Mbajtja e këtij simpoziumi në Ulqin ka edhe simbolikën e vet, si qytet multikulturor, i turizmit, si qytet i pasur me kulturë shumëshekullore, dhe paraqet mesazh të miqësisë së vjetër, aktuale, dhe besoj edhe të ardhëshme, në mes popujve pakicë shqiptarë e kroatë në Mal të Zi, dhe dy popujve në përgjithësi.”, shtoi Tahiri.

Zvonimi Dekoviq, kryetari i Këshillit Kombëtar të Kroatëve në Mal të Zi, tha se Shuflaj është një ndër albanologët më të mëdhenj në botë, veprat dhe aktivitetet e të cilit sollën edhe vrasjen e tij.

“Mjafton të thuhet se për vrasjen e Milan Shuflaj protestuan edhe personalitete të tilla si Albert Ajnshtajn dhe Hajnrih Man.”, tha ndër të tjera Dekoviq.

  • 1

    Radio