Slider

Aktuale Më shumë

Shpresa dhe ndërgjegjësimi: Një Takim për Shëndetin e Gruas

Prej tvteuta1 November 2024

Muaji Tetor është njëkohësisht një simbol i shpresës dhe ndërgjegjësimit për miliona gra dhe burra në mbarë botën, pasi shënon Muajin e Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit. Qëllimi kryesor i këtij muaj është të rrisë vëmendjen për rëndësinë e sensibilizimit, zbulimit të hershëm dhe trajtimit të kësaj sëmundjeje. Në këtë kuadër, Gjimnazi Publik “Vëllazërim Bashkim” organizoi një aktivitet të veçantë në shenjë mbështetjeje për të gjitha gratë që janë përballur me sfidat e kancerit të gjirit. Aktiviteti u hap nga drejtoresha e këtij gjimnazi, Ardita Koka Kovaci, e cila theksoi rëndësinë e mbështetjes dhe bashkëpunimit në luftën kundër kësaj sëmundjeje. Ajo e përshkroi këtë ngjarje si një mundësi për të ndarë përshtypjet dhe historitë dhe për të nderuar guximin e grave që kanë luftuar dhe vazhdojnë të luftojnë këtë sëmundje të frikshme. Në këtë panel, morën pjesë edhe doktoreshat Sadije Hollaj dhe Sanella Abazoviq, të cilat ndanë njohuritë e tyre mbi rëndësinë e zbulimit të hershëm të kancerit të gjirit. Ato folën për metodat e përparuara të diagnostikimit dhe trajtimit, si dhe për rëndësinë e kontrollit të rregullt dhe vetëdijesimin në lidhje me simptomat dhe faktorët e rrezikut. Një pjesë e veçantë e aktivitetit ishin dy mësimdhënëset, Aishe Tela dhe Jasmina Hasa që njëherit ishin edhe vetë të prekura nga kanceri i gjirit. Ato ndanë me ne historitë e tyre emocionuese, duke përshkruar përvojat dhe sfidat që përballuan pas diagnostikimit me kancerin e gjirit. Ato ndanë me publikun jo vetëm frikën dhe pësimin, por gjithashtu shpresën dhe forcën që i ndihmoi t’i përballonin këto vështirësi. Mes emocionit dhe inspirimit, ato theksuan rëndësinë e kontrollave të rregullta por edhe mosdorëzimin. Aktiviteti i organizuar nga Gjimnazi Publik “Vëllazërim Bashkim” për shënimin e Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, ishte një ngjarje tërheqëse dhe me rëndësi thelbësore për të pranishmit. Nën dritën e njohurive të ofruara nga ekspertet dhe historitë prekëse të grave që e kanë përjetuar këtë sëmundje, të pranishmet – gra, vajza të reja dhe nxënëse të përzgjedhura – kishin mundësinë të dëgjonin, të reflektonin dhe të inspiroheshin. Atmosfera inkurajuese e këtij aktiviteti ishte njëkohësisht edhe paralajmërim për rëndësinë e zbulimit të hershëm dhe kujdesit për shëndetin e gjirit.