Shkolla në Dacaj së shpejti do të ketë furnizim me ujë
Prej tvteuta17:38, 7 Nëntor 2020

Shkolla fillore në Dacaj, e vetmja në gjuhën shqipe në Rozhajë, pas pesë dekadash do të ketë furnizim me ujë. Falë donatorëve, filloi gërmimi i kanaleve për fazën primare dhe instalimi i tubit me gjatësi një kilometër.
Drejtori i shkollës, Haxhi Lajçi, thotë se shkolla ka pasur problem me dekada, për shkak të mungesës së ujit, sepse fëmijëve dhe stafit arsimor u është dashur ta sillnin ujin nga shtëpia.
Përveç kësaj, mungesa e tualeteve të përshtatshme përbën një problem të.veçantë, problem që pritet të zgjidhet duke ndërtuar një shkollë të re, e cila duhet të përfundojë vitin e ardhshëm dhe që financohet nga Qeveria e Malit të Zi. .
Falë njerëzve me vullnet të mirë, jemi duke e zgjidhur problemin e furnizimit me ujë, thotë Lajçi, dhe me këtë rast ai falënderon donatorët nga Mynihu, përfshirë Xhevdet Muriqin, i cili është iniciatori kryesor i aksionit, dhe të cilit iu bashkuan edhe Rexhep Nikçi, Maxhun Smajli, Osman Ferizi dhe përfaqësues të tjerë të shoqërive humanitare shqiptare “Besa”, “Sali Qekaj”, biblioteka private “Mark Krasniqi” dhe dega e “Lidhjes Demokratike të Bavarisë”.
Lajçi tha se kapaciteti i ujit do të jetë i mjaftueshëm edhe për objektet e tjera në atë zonë, dhe në këtë mënyrë investimi do të ketë një efekt të shumfishtë.