Sporti Më shumë

Shiffrin vendos rekord të fitoreve në Kupën e Botës

Prej tvteuta09:28, 25 Janar 2023

Rraskapitje. Lehtësim. Gëzim i madh.

Skitarja amerikane Mikaela Shiffrin ndjeu gjithçka pasi fitoi garën rekorde, të 83-n, të Kupës së Botës në skijim alpin, të martën. Fitorja e Shiffrinit në sllallomin e madh bëri që ajo ta tejkalojë rekordin e vendosur nga skitarja tjetër amerikane, Lindsey Vonn, e cila u tërhoq katër vjet më parë për shkak të lëndimeve.

“Unë nuk mendoj se ka fjalë për të shpjeguar të gjitha ndjenjat”, tha Shiffrin. “Në fund të fundit është sikur ka shumë kënaqësi për ta shijuar. Nuk e di nëse ka kuptim. Kështu që unë thjesht përpiqem të marr frymë pak dhe ta shijoj atë”.

Shiffrinit tani i duhen vetëm edhe tri fitore për të arritur rekordin e skitarit Ingemark Stenmark prej 86 fitoresh në Kupën e Botës. Suedezi Stenmark garoi në vitet ‘70 dhe ‘80.

Shiffrin udhëhoqi nga fillimi e deri në fund në garën në resortin Kronplatz në Dolomitet italiane, duke pasur kohë prej 0.45 sekondash më të mirë se kampionia e botës Lara Gut-Behrami. E treta ishte ish-kampionia Federica Brignone.

Shiffrin ishte më e shpejta në lëshimin e parë dhe për këtë arsye ishte skitarja e fundit që garoi në lëshimin e dytë, të martën.

Nëse triumfon në tri garat e ardhshme, Shiffrini do ta barazojë rekordin e Stenmarkut. Pastaj, pas një pushimi të shkurtër, Shiffrin do të synojë medalje të tjera të arta në Kupën e Botës në Courchevel dhe Meribel në Francë, gara që startojnë më 6 shkurt.

  • 1

    Radio