Aktuale Më shumë

Shënohet Dita e Ulqinit

Prej tvteuta17:45, 2 Prill 2022

Dita e Komunës së Ulqinit është shënuar sot me një seancë solemne të Kuvendit të Komunal. Edhe pse salla e Qendrës së Kulturës ishte gjysmë e mbushur, në të morën pjesë pothuajse të gjithë drejtuesit e Komunës së Ulqinit, disa nga këshilltarët, përfaqësues të partive politike, si dhe të institucioneve vendore dhe shtetërore, por edhe përfaqësues të komuniteteve fetare dhe të sektorit civil.

Kryetari i Kuvendit të Komunës së Ulqinit, Haxhi Sulejmani, në fjalën e tij hyrëse, iu referua historisë dhe traditës së pasur me të cilën krenohet Ulqini, ndërsa Kryetari i Komunës së Ulqinit, Aleksandar Daboviq, në fjalën e tij përfshiu një sërë projektesh të iniciuara dhe të përfunduara në qytet, dhe vlerësoi se secili qytetari Ulqinit ka dhënë kontributin e tij për komunitetin lokal dhe se komuniteti i qytetit duhet të japë më shumë për qyetin.

Në seancën ishin prezentë edhe ambasadorë të disa vendeve fqinje si dhe përfaqësues të komunave nga Mali i Zi dhe Shqipëria. Më pas të pranishmit i dëfreu orkestra e harqeve nga Elbasani, të drejtuar nga dirigjenti i mirënjohur Blerim Nazarani, ndërsa disa këngë të përbashkëta u interpretuan nga tenorët e njohur shqiptarë Josif Gjipali dhe Kastriot Tusha, si dhe sopranoja ulqinake Gjylie  Pelingu Hoxha.

Telegramet e urimit me rastin e Ditës së Ulqinit për qytetarët dhe vetëqeverisjen lokale arritën nga presidenti Millo Gjukanoviq, kryeministri Zdravko Krivokapiq, ministrja Tamara Srzentiq, si dhe nga ambasadorët e Republikës së Turqisë dhe Hungarisë.

  • 1

    Radio