Aktuale Më shumë

Rusët edhe në Mal të Zi votojnë për zgjedhjet presidenciale

Prej tvteuta09:36, 17 Mars 2024

Qytetarët rusë që jetojnë në Mal të Zi votojnë sot për presidencën e Federatës Ruse.

Në fletëvotim janë katër kandidatë, nga të cilët i vetmi favorit është presidenti aktual, Vladimir Putin, i cili është në rrugë për të siguruar për një mandat tjetër gjashtëvjeçar, shkruan Radio Evropa e Lirë.

Kritikët e tij theksojnë se zgjedhjet në Rusi kontrollohen rreptësisht nga Kremlini dhe nuk janë as të lira e as të drejta, por qeveria i konsideron ato të nevojshme për të krijuar një ndjenjë legjitimiteti.

Në Mal të Zi, votimi për zgjedhjet presidenciale ruse u organizua në ndërtesën e Ambasadës së Federatës Ruse në Podgoricë. Qendra e votimit do të jetë e hapur nga ora 08:00 deri në 20:00.

“Për të votuar duhet të vizitoni personalisht qendrën e votimit dhe të tregoni një pasaportë të vlefshme”, thuhet në faqen e internetit të Ambasadës.

Ambasada deklaroi në rrjetin Telegram se në ditën e votimit do të forcohen masat e sigurisë dhe kontrollit për të mbrojtur sigurinë e votuesve dhe anëtarëve të komisionit zgjedhor.

“Në qendrën e votimit do të bëhet video survejimi”, thuhet në postim.

Në faqen e internetit dhe rrjetet sociale të Ambasadës nuk ka asnjë informacion për numrin e qytetarëve rusë që kanë të drejtë vote në Podgoricë. Rreth 27,000 rusë banojnë zyrtarisht në Mal të Zi.

Ambasada ruse njoftoi në Telegram këtë mëngjes se ambasadori në Mal të Zi, Vlladisllav Masllenikov, tashmë ka votuar. Ata kanë publikuar edhe një foto të votës së tij.

  • 1

    Radio