Rritje e numrit të fëmijëve në qendrën ditore “Sirena”
Prej tvteuta16:16, 19 Nëntor 2019
Qendra ditore për fëmijë dhe të rinj me pengesa në zhvillim, “Sirena” nuk është në një pozitë të mirë financiare, sidomos pas bllokimit të xhirollogarisë së Komunës së Ulqinit.Kjo qendër ka 5 paga detyrim ndaj punëtorëve, por ekzistojnë falë donatorëve të shumtë të cilët kanë dalë në ndihmë. Situatën më alarmante e bën edhe rritja e numrit të fëmijëve, çka krijon shpenzime edhe më të mëdha, tha për TV Teuta drejtori i kësaj qëndre Bilal Alaj. Me rritjen e numrit të fëmijëve ka edhe mungesë të kuadrove profesionale si logoped, defektolog, psikolog klinik ,psikolog shkollor,pedagog etj, të cilët janë të paraparë edhe me sistematizimin e vendeve të punës. Mungesa e kuadrove krijon një problem tjetër sepse sipas ligjit të ri, institucioni duhet të licensohet, dhe sipas numrit të fëmijëve duhet të ketë edhe të punësuar special për të plotësuar kushtet e marrjes së licencës. Në këtë qendër gravitojnë 14 fëmijë edhe nga komunat tjera, sidomos nga Kraja e Tivarit, të cilët për arsye të barrierave gjuhësore nuk mund të trajtohen në qendra tjera, njoftoi Alaj.