Aktuale Më shumë

Rikthehet “Pranvera në Anë të Malit” (VIDEO)

Prej tvteuta13:33, 25 Maj 2023

Shoqata “Ora” do të organizojë më 26, 27, 28 maj 2023 edicionin e 17-të të manifestimit tradicional “Pranvera në Anë të Malit”. Kryetarja e shoqatës, Arjeta Kurti në emisionin e mëngjesit “Ditë e Re” thotë që janë munduar që për këtë edicion të sjellin emra të njohur të kulturës.

Në kuadër të edicionit të sivjetshëm, natën e parë (e premte, më 26 maj 2023, ora 20:00, Hajdari Family – Public Park) do të shfaqet koncerti premierë me muzikë klasike shqiptare i Orkestrës Simfonike të Shkodrës dhe Korit Polifonik “Prenk Jakova” – Shkodër. Ditën e dytë (e shtunë, më 27 maj 2023, ora 17:00, Muzeu Etnografik – Draginë) do të bëhet përurimi i librit të Gjekë Gjonajt “Ana e Malit sipas një trieshiani”. Ditën e tretë (e diel, më 28 maj 2023, ora 17:00, Hajdari Family – Public Park) do të ketë program argëtues për fëmijë dhe të rritur me lojëra tradicionale, gara sportive, muzikë, ushqime tradicionale etj.

Manifestimi “Pranvera në Anë të Malit” ka filluar në vitin 2004 dhe ka për qëllim shpalosjen e vlerave të traditës dhe trashëgimisë së trevës së Anës së Malit. Përgjatë viteve në kuadër të këtij manifestimi janë shfaqur programe nga fusha të ndryshme të artit, muzikës, kulturës dhe trashëgimisë kulturore, etnografisë, teatrit, filmit etj. Në këtë mënyrë ai është shndërruar në një prej simboleve me të cilin identifikohet Ana e Malit.

Manifestimi “Pranvera në Anë të Malit” ka ndikuar në gjallërimin e jetës në Anën e Malit dhe si nxitje për organizimin e aktiviteteve dhe manifestimeve të tjera me karaktet kulturor e turistik. Në të njëjtën kohë ai shërben për pasurimin e ofertës turistike të Ulqinit në prag të sezonit turistik.

  • 1

    Radio