Politikë

Aktuale Më shumë

Qeveria miraton draftin e Ligjit për konfiskimin e pasurisë së paligjshme

Prej tvteuta15 December 2022

Qeveria ka miratuar draftin e Ligjit për konfiskimin e pasurisë së fituar me veprimtari kriminale, qëllimi kryesor i të cilit është konfiskimi i pasurisë që rezulton nga aktivitetet e organizatave kriminale në fushën e korrupsionit të lartë. “Kemi marrë mendimin e KE-së se ligji është plotësisht në përputhje me normativat e Bashkimit Evropian. Qëllimi i ligjit është të shënjestrojë pasurinë e paligjshme nga aktivitetet e organizatave kriminale. Sipas ligjit për Prokurorinë Speciale të Shtetit, bëhet fjalë për vepra të shpërdorimit të pozitës zyrtare, ndikimit të kundërligjshëm, nxitjes së ndikimit të kundërligjshëm, marrjes dhe dhënies së ryshfetit, kur përfitimi tejkalon vlerën 40.000 ,si dhe veprat kriminale të pastrimit të parave, terrorizmit dhe krimeve të luftës”, tha ministri i drejtësisë Marko Kovaç. Ai sqaroi se e reja është futja e një katalogu të veprave penale, kështu që parashikohet dënim për veprën e kryer me dashje, për të cilën mund të shqiptohet dënimi me katër vjet e më shumë, si dhe konfiskimi i përhershëm i pasurisë. Parashihet se kryesit të veprës penale mund t’i konfiskohet pasuria nëse ajo është fituar me veprimtari kriminale dhe vlera e saj totale e llogaritur është së paku 50.000 euro, nëse aktakuza për veprat penale nën juridiksionin e Prokurorisë Speciale të Shtetit është konfirmuar. Pasuria e fituar me veprimtari kriminale mund të konfiskohet nëse është fituar në periudhën dhjetëvjeçare para dhe/ose pas kryerjes së veprës penale. Po ashtu me këtë ligj zgjerohet edhe rrethi i personave që konsiderohen familjarë. Kovaç tha se duhet nisur një luftë serioze kundër krimit dhe korrupsionit dhe se për këtë janë dhënë mesazhe të qarta. “Ky projektligj është një hap i rëndësishëm përpara në shënjestrimin e përfitimeve të paligjshme pronësore. Ne jemi të hapur të shqyrtojmë sugjerimet nga parlamenti për ta bërë këtë tekst sa më efektiv.” tha Kovaç. Kryeministri Dritan Abazoviq tha se për këtë projektligj duhet të organizohet një seancë e posaçme e Kuvendit. “Qytetarët po lexojnë sot se ndonjë i burgosur shtetëror me gjashtë milionë euro mund të garantojë lirimin me kusht. Ky nuk është shembulli i vetëm, ka plot të tillë”, tha kryeiministri.