Qeveria: Ligji për punësim po keqinterpretohet

Prej tvteuta16 August 2017

Qeveria e Malit të Zi ka dalë me një kumtesë për media nëpërmes së cilës thotë se Ligji i ri për punësim i cili është në procedurë , po keqinterpretohet nga opinioni publik kur bëhet fjalë për zgjetjen e orarit të punës. Sipas Qeverisë, me nenin 66 të këtij propozim ligji është rregulluar institucioni i shpërndarjes së orarit të punës, në mënyrë që të përshtatet me punët të cilat kërkojnë orar të veçantë nga ai i zakonshmi. Nga opinioni publik , thonë ata, kjo gabimisht është cilësuar si orar shtesë , çka nuk ka të bëjë fare, pasi me këtë rregullim parashihet që punëtori mund të punojë një periudhë me orar me të gjatë por periudhën tjetër më të shkurtër, çka në fund sjell mesataren e njëjtë si të parashikuar me ligj për orët maksimale të angazhimit. Në këtë mënyrë të punësuarëve në vende pune që kanë orar të veçantë u mundësohet shfrytëzim i rregullt i pushimeve, çka nuk ishte rregulluar plotësisht me ligjin aktual, thonë nga Qeveria.