Aktuale Më shumë

Qeveria e pakicës: Vetëvrasje politike apo pajtim me realitetin?

Prej tvteuta13:32, 18 Janar 2022

Mali i Zi duket se po kalon nga njëra në tjetër krizë politike. Pas rënies nga pushteti 30 vjeçar i PDS(DPS) dhe aleatëve të saj, u formua një mazhorancë heterogjene, e cila që në fillim ishte e destinuar të mos funksionojë deri në fund të mandatit. Por, pak e ndoshta aspak, u prit që përbërësi më i madh i kësaj mazhorance, Fronti Demokratik, vetëm një muaj pas përkrahjes së Qeverisë, t’ia kthejë asaj shpinën dhe të fillojë haptas luftën për rrëzimin e saj. Kjo solli krizë të thellë në mes Kuvendit dhe Qeverisë, çka reflektoi edhe në përmbushjen e qëllimeve të kësaj të fundit, edhe pse nuk mund të thuhet se avancime nuk ka pasur. Kjo solli spekullime të ndryshme për daljen nga kriza, nga rikonstruksioni i Qeverisë, formimi i një Qeverie të re, e deri tek ajo e pakicës. Të gjitha duket se dështuan, por kjo e fundit çuditërisht u rikthye si opsion, edhe pse kryetari i LQ URA, pikërisht për TV Teuta, tha se kjo ka pak mundësi të ndodhë.

Abazoviq: Kur flitet për qeverinë e pakicës flitet vetëm për njërin nga modalitetet në teori, ….Shumë janë përqindjet e vogla se kjo ka për të ndodhur…Ka edhe modele të tjera, shkuarja në zgjedhje, ose të vazhdohet kështu…

Megjithatë, vetëm 3 ditë më vonë në konferencë për media , koalicioni “E zeza në të bardhë” njoftoi iniciativën për formimin e një qeverie të pakicës, në të cilën nuk do të kishte vend as për PDS e as për FD. Se kush do ta përkrahete një qeveri të tillë, nëse nuk ka asnjë ndikim në të, ende mbetet mister, pasi nga PDS nuk janë prononcuar, ndërsa në FD edhe pse kanë lënë të kuptohet se janë të hapur për bisedime, vështirë se do të pranonin të përsëritej skenari pas 30 gushtit, kur ata mbeten pa poste qeveritare.

Partia Socialdemokrate dhe Socialdemokratët, të cilët në zgjedhje eventuale me shumë mundësi nuk do ta kalonin as pragun, kanë arsye të jenë të kënaqur, edhe pse vështirë se do të ketë poste qeveritare edhe për ta. Demokratët, ashtu si edhe pritej, janë kategorikisht kundër.

Nga koalicioni “E zeza në të bardhë” kanë lënë të kuptohet se çdo gjë do të bëhet e qartë deri në fund të javës, edhe pse duket se sytë janë nga PDS. Kjo e fundit nuk do të përfitonte asgjë nga përkrahja e një qeverie të tillë. Përkundrazi, do të hapte dyert që anëtarësia e saj e lëkundur të kalonte edhe më shpejt në drejtim të LQ URA, ose tek subjektet e pakicave, duke ndikuar edhe më tej në rënien e përkrahjes. Por, si duket në këtë parti janë aq të dëshpëruar për të nxitur çfarëdo ndryshimi, sa që nuk e kanë problem të sakrifikojnë, me kusht që të shohin pak dritë në fund të tunelit. A ka kjo të bëjë me sanksionet eventuale të SHBA ndaj zyrtarëve të saj të akuzuar për korrupsion, ende mbetet e paqartë, por duket se janë të gatshëm ta presin degën në të cilën mbahen, me qëllim që të shpëtojnë diçka nga trungu.

Kjo politikë pritet të ketë ndikim thelbësor edhe në zgjedhjet lokale në Ulqin, të cilat duhet të mbahen deri në fund të marsit, nëse nuk ka një konsensus të gjërë për shtyrjen e tyre në maj, kur mbahen zgjedhjet lokale edhe në shumicën e komunave të tjera. Në Ulqin, PDS në zgjedhjet parlamentare mori rreth 4.000 vota, ndërsa në situatën aktuale, pa pushtet dhe në një gjendje paqësore me LQ URA, jo vetëm që nuk mund të pretendojë për sukses, por mund të kthehet në strukturë të margjinalizuar politike. Nëse merren parasysh fjalët e Abazoviq, PDS mund të përshëndetet edhe nga pushteti lokal, pasi gjasat janë për një koalicion të URA me partitë e pakicave.

Abazoviq: Nuk jam kundër asnjë lloji të bashkëpunimit. Në të kaluarën nuk ishte kompatibile se si ata dhe ne e konceptonim zhvillimin e Ulqinit, dhe nëse vazhdon të mos jetë kompatibil çdokush e ka rrugën e vet. Nëse dikush mendon se duhet të ndërrojmë konceptin e udhëheqësisë, i cili për mendimin tim është jashtëzakonisht i dobët, nëse dikush dëshiron ta përkrahë ndryshimin, nëse duam së bashku të punojmë për qytetin tonë, asnjë lloj restriksioni nuk ekziston për askend.

Sidoqoftë, me apo pa qeveri të pakicës, kriza politike në vend vështirë të kapërcehet pa zgjedhje të reja. Ndoshta ato askujt nuk i konvenojnë, por në këtë rast, ky do të ishte opsioni më i drejtë. Edhe pse qeveria e pakicës mund të duket si ide tërheqëse për momentin, duket sikur askush nuk mendon për anët negative të saj. Njëra prej tyre mund të jetë tejet shqetësuese. Nëse qeveria e pakicës tregohet e pasuksesëshme, pas zgjedhjeve të reja, Fronti Demokratik dhe Demokratët mund të vijnë në pozicion që vetë të formojnë pushtetin.

 

/Bekim Çoba

 

  • 1

    Radio