Aktuale Më shumë

“Qeveria do të respektojë vendimin e gjykatës, nuk ka mosmarrëveshje mes LET-së dhe demokratëve”

Prej tvteuta14:22, 11 Dhjetor 2023

Gjykata Administrative ka rikthyer në atë pozitë ish-drejtorin e Drejtorisë së Policisë, Zoran Brgjanin, tha nënkryetari i Qeverisë për Siguri, Politikë të Brendshme, Çështje Evropiane dhe të Jashtme, Aleska Beçiq, dhe shtoi se Qeveria do ta respektojë atë vendim.

Beçiq u tha gazetarëve, pas ceremonisë me rastin e 20 viteve të punës së institucionit të Mbrojtësit të të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, se Qeveria do të bëjë atë që është pjesë e punës së saj.

“Vendimi është meritor, që do të thotë se Gjykata Administrative e ktheu Brgjanin në vendin e tij. Ne jemi një vend ku respektohen aktgjykimet e gjykatave, ku çdo institucion bën punën e vet”, tha Beçiq.

I pyetur nëse ka mosmarrëveshje mes Lëvizjes Evropa Tani dhe Demokratëve, ai tha se nuk ka dhe se shkëmbimi i mendimeve është një gjë normale dhe se në politikë më e rëndësishmja është që secili të bëjë punën e vet.

“Çdo përpjekje e mundshme për të sjellë trazira në atmosferën harmonike, e cila ka arritur rezultate të lakmueshme në rreth 30 vjet dhe ka sjellë Malin e Zi në stabilitet social, nuk do të prishë asgjë”, tha Beçiq.

I pyetur nëse pret që Komisioni për Siguri të diskutojë për Brgjanin, Beçiq u përgjigj se kjo është çështje e atij organi parlamentar dhe se ai nuk do të ndërhyjë në kompetencën e një dege tjetër të qeverisë.

“Ligji në mënyrë imperative thotë se ministri do të propozojë shkarkimin e drejtorit të policisë nëse komisioni parlamentar refuzon raportin e tij për rezultatet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, shtoi Beçiq.

  • 1

    Radio