“Qeveria arriti rezultate të mëdha në 84 ditë”
Prej tvteuta13:52, 24 Janar 2024
Mali i Zi ka mbështetjen e plotë të Hungarisë, Holandës dhe Bullgarisë në rrugën drejt BE-së, njoftoi Qeveria e Malit të Zi. Pas takimit me ambasadorët, Spajiq ka shkruar në rrjetin social “X” se qeveria ka arritur rezultate të mëdha për 84 ditë.
Kryeministri Millojko Spajiq u takua me ambasadorët e Hungarisë, Holandës dhe Bullgarisë.
Siç kumtoi Qeveria, në takimin me ambasadorin hungarez Jozhef Negjeshi, u konstatua se marrëdhëniet bilaterale janë të shkëlqyera dhe se nuk ka çështje të pazgjidhura.
“Hungaria i jep mbështetje të plotë Malit të Zi në rrugën e tij evropiane dhe pret me padurim hyrjen e vendit tonë në BE”, thuhet në njoftim.
Sipas raportimeve, kryeministri Spajiq ka falënderuar ambasadorin për ndihmën e dhënë.
“Është veçanërisht e rëndësishme që ne të kemi mbështetje të ekspertëve nga Hungaria për një periudhë më të gjatë, sepse kjo krijon një efekt afatgjatë dhe ka një rëndësi të madhe për administratën tonë”, tha Spajiq.
Intensifikimi i marrëdhënieve tashmë të mira me Mbretërinë e Holandës është shumë i rëndësishëm për Malin e Zi, u theksua në bisedën e kryeministrit me ambasadorin Joust Reintjes.
Një hapësirë e veçantë, siç vlerësohet, ekziston për forcimin e bashkëpunimit ekonomik në projektet e infrastrukturës, sektorin e energjisë, bujqësinë dhe industrinë ushqimore.
“Infrastruktura është çelësi i progresit, sepse vendet më të zhvilluara fillimisht ndërtuan lidhje perfekte të trafikut. Prandaj është prioritet dhe duam që sa më shpejt të përfundojmë të gjitha projektet kapitale të trafikut”, tha kryeministri Spajiq.
Sipas Qeverisë, ambasadori Reintjes theksoi dëshirën e madhe të vendit të tij për të ndihmuar Malin e Zi në rrugën e tij evropiane, por edhe në çështjet ekonomike.
Veçanërisht u theksua mundësia e bashkëpunimit në fushën e transportit detar.
Gjatë bisedës u fol edhe për Konferencën e paralajmëruar Ndërqeveritare, si dhe për rezultatet e shkëlqyera të Qeverisë së 44-të, e cila po përshpejton rrugën drejt BE-së.
Lidhja më e mirë rrugore do të forcojë edhe më shumë marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Malit të Zi dhe Bullgarisë”, u theksua në takimin e kryeministrit Spajiq me ambasadorin Stefan Dimitrov.
Në bisedë u vlerësua se është e rëndësishme hapja e linjës direkte ajrore Podgoricë – Sofje, e cila do të ndihmonte në rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe turistik.
Ambasadori Dimitrov vuri në dukje se Qeveria e 44-të ka bërë gjëra të rëndësishme për dy muaj e gjysmë dhe përsëriti se Bullgaria do të ofrojë mbështetje të plotë në rrugën drejt BE-së.
Kryeministri falënderoi për ndihmën dhe theksoi se përvoja e Bullgarisë në procesin e negociatave me BE-në është e një rëndësie të madhe për Malin e Zi.