Rajoni/Bota Më shumë

Qëllohet mbi policinë në veri të kosovës

Prej tvteuta15:36, 23 Janar 2023

Një tjetër incident është shënuar sot në veri të Kosovës, ku situata vazhdon të mbetet mjaft e brishtë pas tensioneve të përsëritura të këtyre muajve të fundit. Një njësi policore është sulmuar paraditen e sotme në Bistricë të Leposaviqit nga persona që ndodheshin në një automjet, i cili ka tentuar të anashkalojë kontrollet e forcave të rendit. Policia thotë se nga makina në lëvizje është shtënë mbi automjetin e efektivëve, duke rrezikuar drejtpërdrejtë jetën e tyre.
Për të neutralizuar rrezikun, këta të fundit janë përgjigjur duke hapur zjarr. Të dyshuarit kanë arritur të largohen nga vendi i ngjarjes. “Njësia policore, e cila ndodhej në pikën e kontrollit në krye të detyrës, ka dashur që të ndalojë automjetin në fjalë, i cili nuk i është bindur thirrjes për të ndaluar, përkundrazi ka shtënë mbi efektivët. Të dyshuarit janë larguar bashkë me mjetin e tyre nga vendngjarja ndërsa është hapur menjëherë një hetim mbi incidentin, e është njoftuar edhe Inspektorati i Policisë së Kosovës për procedura të mëtejme”, thanë burime policore.
Sipas Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe nga ky incident ka mbetur i plagosur një serb  ku eshte transportuar me urgjencë në spitalin e Kralevës. Ai doli me pretendimin njësitë policore të Kosovës “kanë qëlluar” automjetin “vetëm sepse nuk kanë dashur të lejojnë që policia t’i keqtrajtojë pa asnjë bazë dhe arsye”.

  • 1

    Radio