Opinion Më shumë

Qani Osmani: KOMUNIKIMI MODERN DHE TJETËRSIMI I INDIVIDIT

Prej tvteuta14:05, 9 Prill 2020

Me zhvillimin e teknologjisë njerëzimi ka fituar terrenin e merituar duke iu dhënë hapsira pa limit në galaktikën eloktronike sociale. Përderisa në njërën anë kemi një hiper zhvillim të tillë, në anën tjetër pikërisht ky hiper zhvillim ka shpërfaqur edhe një numër efektesh negative në shoqëri. Është fakt që sot jeta moderne nuk mund dot të paramendohet pa një teknologji dhe zhvillim të tillë, për shkak të nevojave dhe rrethanave në të cilën gjendet shoqëria aktualisht. Por gjithashtu ky zhvillim ka zbehur dukshëm edhe raportet ndër shoqërore, besa edhe ato ndër familjare. Sot, jemi dëshimtarë të asaj që në mjediset tona sociale më shumë fokusi është i përqendruar kah shfrytëzimi i mediave sociale se sa kah komunikimi i ndërsjellët i cili dikur ka qenë tepër i fuqishëm.

Në këtë kontekst shembull mund ta marrim institucionin e “Odës”, institucion ky i cili dikur në traditën shqiptare ka luajtur rolin mikpritës dhe në këtë institucion janë realizuar fejesa, martesa, janë bërë pajtimet e gjaqeve, si dhe shumë tradita të tjera për të cilat nuk do të mjaftonte që të flasim me pak fjalë. Kurse sot, rrjetet sociale, në veçanti komunikimi virtual është gjithnë e më shumë duke e zëvendësuar edhe këtë institucion përmes formave dhe mënyrave të ndryshme. Andaj, traditat që dikur janë manifestuar me shumë zell dhe vullnet, sot realizohen përmes rrjeteve të tilla sociale. Madje, kjo ndërlidhet me gjendjen faktike që tregon se shqiptarët në rajon janë të parët për nga shfrytëzimi i këtij shkopi magjik.

Këto rrjete sociale të cilat njëherit janë prore të globalizmit, janë ato rrjete të cilat kanë ndikuar që edhe jeta dhe mjedisi social të ndryshojë dukshëm. Një gjë e tillë vërehet edhe gjatë ndejave të ndryshme familjare, gjatë bisedave-komunikimeve të ndryshme me familjar, miq, koleg dhe të tjerë. Kjo pasqyron dinamikën e jetës, por gjithashtu pasqyron edhe ndikimin e rrjetëve sociale të cilat çdo ditë e më tepër po e cenojnë edhe privatësinë tonë qoftë si individ po ashtu edhe si shoqëri.

Lidhja me internetin përmes “telefonit të urtë” është një varësi që formëson sjelljet sociale dhe shëndetin mental të një pjese të mirë të njerëzve; një varësi ekstreme nga telefoni që brengos prindërit, institucionet, shoqërinë. Varësia nga telefonat e mençur nuk ndikon vetëm te mendja, por edhe te raportet ndërnjerëzore, ku një person fizikisht është prezent por psikologjikisht s’është aty, gjendet në një botë tjetër, në një botë të tij, që e ndan atë nga rrethina, nga realiteti konkret. Kjo varësi shkakton probleme të natyrave të ndryshme, mes tjerash edhe ato të syve, në performancën në vendin e punës, në raportet brendafamiljare, bashkëshortore e të ngjashme. Sa divorce ndodhin për shkak të dhunës së ushtruar si rrjedhim i psikologjisë së prishur, i lidhjeve të fshehta me persona të tjerë që janë pykë e vënë mbi trungun familjar!

Përdorimi i rrjeteve të tilla sociale në mjediset urbane, por edhe ato rurale tashmë është prezent edhe në kafenetë e ndryshme, të cilat pothuajse çdo herë janë të stërmbushura. Përderisa ekziston një papunësi dhe varfëri tejet e lartë me shifra alarmante, në anën tjetër kafenetë luajnë rolin e atashimit psikologjik i cili sado kudo edhe ato lidhje të zbehta të cilat vuajnë nga një gjendje anomike sipas Dyrkemit, mundohet që t’i ofron ose t’i kooperon.

Në fakt, kultura e kafesë përshkruan një atmosferë shoqërore ose një numër sjelljesh sociale shoqëruese që varen shumë nga kafja ose shija e kafes. Andaj, si në zonat urbane po ashtu edhe në ato rurale kafenetë luajnë një rol të kohezionit social dhe integrimit shoqëror. Kjo për shkak se në këto mjedise sociale ekzistojnë struktura të ndryshme shoqërore, të cilat kanë një ndërveprim social me njëri tjetrin dhe kryesisht frekuentimi i tyre lidhet me shumë aspekte që nga shfrytëzimi i rrjetit (wifi-së) e deri te takimet e ndryshme. Megjithëse, në pjesën më të madhe të rasteve vërehet se efekti i komunikimit zhvillohet ad hocdhe fokusi më i madh është tek teknologjia e re e cila e tjetërson individin dukshëm.

Në këtë segment ajo që bie në sy është fokusi kryesisht i moshave të reja dhe përdorimi i telefonave të mençur, duke u orientuar kah shfrytëzimi i rrjeteve sociale. Madje, në këto ambiente shpeshherë primare është pyetja për pasin e wifi-së se sa ndoshta komunikimi me të tjerët. Prandaj, me fjalë të tjera, kafenetë tashmë janë shëndërruar në një ambient social i cili përveç shfrytëzimit të kohës së lirë, freskimit, zhvillimit të takimeve dhe komunikimit, ato ofrojnë edhe mundësi tjera sidomos të shfrytëzimit të internetit (pa pagesë), i cili është konsideruar si “shpikja e shekullit”. Pra, kafenetë si ambiente sociale përderisa dikur kanë qenë vetëm një vend për takim ose vend për ta kaluar kohën e lirë, sot nuk mund të thuhet e njëjta, sepse ato ofrojnë shumë elemente të cilat ndikojnë që edhe klientët t’i vizitojnë më shumë, ndoshta për shkak të prezencës së strukturave të ndryshme të shoqërisë, ambietit, shfrytëzimi të internetit, si dhe elementeve të tjera të cilat dikur kanë munguar.

Si përfundim mund të thuhet se teknologjia po krijon një kategori të re të “robërve”. Andaj, për të rifituar lirinë dhe për ta shijuar jetën duhet që të lëmë kohë edhe vetes, familjes dhe miqve tanë që i kemi pranë. Psikologët internetin e kanë quajtur “vrasës në heshtje”, ku janë referuar tjetërsimit të individit që bën interneti. Në fakt, interneti është një revolucion në vete dhe ka bërë njerëzit të thyejnë barrierat prej një skaji të botës në skajin tjetër. Por, varësia nga interneti, keqpërdorimi i tij ka bërë që të ndikon dukshëm tek shoqëria jonë. Madje, shpeshherë në mjediset tona sociale më shumë i kushtohet rëndësi rrjeteve sociale se sa komunikimit. Për këtë qëllim sociologët tërheqin vërejtjen se nëse nuk shfrytëzohet racionalisht interneti mund të sjellë pasoja të shumta përfshirë ato: individuale, sociale, fizike, psikologjike dhe shëndetësore. Andaj, të bëhemi vetja: të shkëputemi nga celulari së paku në dhomën e gjumit dhe në tavolinën e bukës.

6 prill, 2020.                                                                                                           Qani  Osmani

  • 1

    Radio