Qani Osmani: ISLAMOFOBIA
Prej tvteuta17:33, 18 Prill 2019
Që prej ekzistimit të njerëzimit nuk ka të ndalur lufta mes së mirës ndaj së keqes, mes drejtësisë ndaj padrejtësisë dhe mes humanizmit ndaj ligësisë, sepse kjo luftë vlerash është e inkorporuar në vetë qenien e njeriut si mishërim i së mirës Hyjnore përkundër së keqes djallëzore.
Pikërisht falë këtyre vlerave Hyjnore, shoqëria myslimane, që nga ekzistimi i saj deri sot ka qenë imune sa i përket dhunës ndaj njerëzimit pavarësisht përkatësisë kombëtare dhe fetare. Por e kaluara është bërë pre e mbulimit të saj me pluhur historik me çka nëpërmjet pamjeve të turbullta të sodit, myslimanët do të dukeshin si e kundërta e asaj që në të vërtetë kanë qenë, si njerëz të dhunshëm me një besim po ashtu të dhunshëm, duke “harruar” që dhuna gjatë gjithë historisë njerëzore u përshkruhet të gjithë popujve, feve, besimeve dhe sistemeve, e më së paku myslimanëve dhe Islamit. Edhe sot pas rastit të terrorizmit në Zelandën e Re, sërish u aktualizua nocioni i fobive, gjegjësisht i islamofobisë, i urrejtjes, averzionit ndaj islamit dhe myslimanëve, i sentimentit anti-islamik ose i racizmit anti-mysliman.
Në fakt, islamofobia është një neologjizëm i shpikur në Britani të Madhe në vitin 1996 (megjithëse ka të atillë që pohojnë se rrënjët i ka në periudhën e kryqëzatave) që nënkupton “paragjykimet dhe antipatinë e thellë ndaj islamit dhe myslimanëve”, frikën dhe armiqësinë e pabazë dhe artificiale ndaj fesë islame, ndjejna këto që shkaktojnë diskriminimin e myslimanëve, përjashtimin e tyre nga proceset politike-shoqërore, stereotipizimin e profilit të besimtarit islamik duke e etiketuar si “reaksionar, radikal, fundamentalist dhe terrorist”, pra akuza për fajësi të tyre dhe krime të ndryshme, nga ato të urrejtjes deri te më të rëndat. Duhet theksuar se islamofobia nxitjet e para i merr me rënien e komunizmit, kur islami shpallet “fajtor i ri” dhe “armik i ri i vlerave perëndimore”, në veçanti me shkrimet e Fukuyamës dhe Huntingtonit, kurse bëhet përditshmëri pas rastit terroristë të 11 shtatorit të vitit 2001 në SHBA.
Islamofobia si pikëpamje karakterizohet me bindjen se “shumica ose të gjithë myslimanët janë fanatik fetar, se kanë prirje të dhunshme ndaj jomyslimanëve, se refuzojnë konceptet si barazia, toleranca dhe demokracia”. Islamofobët frikohen se rregullat islamike mund t’ua ngushtojnë hapsirën jetike ose lirinë, sepse sipas tyre, “ligjet, tekstet e shenjta dhe praktikat moderne të islamit kërkojnë nënshtrim të kulturës, politikës dhe të të gjitha pasqyrimeve dhe institucioneve shoqërore ndaj parimeve fetare”.
Sipas disa mendimtarëve qarqet, islamofobe e shohin islamin (1)- si fe që është inferiore ndaj Perendimit, si botkuptim irracional, arkaik, primitiv dhe seksist, (2)-si të ndarë prej “tjetrit”, si fe që nuk ka vlera të përbashkëta me kulturat e të tjerëve, (3)- si një tërësi monolite, statike dhe që nuk u përgjigjet ndryshimeve, (4)- si “fe” e dhunshme, agresive, kërcënuese, mbështetëse e terrorizmit dhe e përfshirë në përplasjen e qytetërimeve, (5)- si ideologji politike që përdoret për synime politike dhe ushtarake. Islamofobët e shfytëzojnë armiqësinë ndaj islamit për t’i arsyetuar praktikat diskriminuese ndaj këtij komuniteti dhe këtë armiqësi anti-myslimane e cilësojnë si të natyrshme dhe normale, sepse sipas tyre “islami nuk përputhet me vlerat evropiane judeo-krishtere”, sepse përmes imigrimit të vazhdueshëm, shkallës së lartë të natalitetit synon ta realizojë projektin e fshehtë dhe konspirativ: mbizotrimin e kontinentit evropian. Prandaj, shumë sociologë, filozofë, dhe politologë islamofobinë, e cila ka marrë përmasat e ksenofobisë, e shohin si sulmin më të madh ndaj paqes botërore, si formë të re të racizmit (Ban Ki Moon), si skllavëri bashkëkohore, si armë të re të diktaturës posmoderne, si formë më të vrazhdë të terrorizmit.
Sipas të dhënave të vitit 2018, amerikanët i konsiderojnë besimtarët myslimanë të pamjaftueshëm amerikanë (salon.com), dy në pesë amerikanë besojnë se islami nuk është i përputhshëm me vlerat amerikane. Anketa e bërë në vitin 2017 nga Pew Research Center, tregon 75% të myslimanëve amerikanë pohojnë se islamofobi ka “me bollëk” në shoqërinë amerikane. Në Europë islamofobia si konstrukt social shfaqet në kontekstin e klimës së përgjithshme të mostolerancës ndaj emigrantëve dhe komuniteteve minoritare. Si formë më të shpeshta të islamofobis janë letrat kërcënuese, sulmet verbale, sulmet ndaj pronës private të myslimanëve (shtëpi, restorane, mishtore hallall…), ndaj xhamive , varrezave të myslimanëve, sulmet ndaj grave me mbulesë, shkrimet dhe ilustrimet provokuese dhe fyese të ndjenjave fetare islame, si dhe diskriminimi gjatë punësimit etj.
Raste dhe shënjime të natyrës islamofoboke në Perëndim shohim edhe nëpër bluza si “Ndaloni islamizimin”, “Jam islamofob krenar”, “Digjeni xhaminë tuaj lokale”, nëpër pllakate shkruhen “Islami ideologji e terroristëve”, në rrjetet sociale “S’lejohet islami”, e të ngjashme. Urrejtje ndaj myslimanëve e gjejmë edhe nëpër filma, seriale si Citizen Khan, Homeland, American Sniper…Nathan Lean, përmes një vepre të tij tregon se islamofobia është një industri, mënyrat se si djathta prodhon urrejtje ndaj myslimanëve. Në këtë rast duhet përmendur edhe anën tjetër të medaljes, prirjet e fuqishme anti-islamofobike që dalin me parulla si “ Thuaj jo islamofobisë”, “Ndaloni profilizimin e myslimanëve”, “Skam kohë për islamofobi”, etj.
Fakti, që sot shumica Perëndimorëve, nuk e kanë idenë rreth botës islame. Shumica e evropianëve kanë harruar se paraardhësit e tyre kolonizuan tokat islame dhe vranë miliona mysliman. Nëse kjo merret parasysh, atëher del se Perendimi dhe evropianët perëndimor janë dhunues dhe terrorist më të mëdhenj. E, kjo nga vet fakti se perëndimorët nuk e pushtuan botën për shkak se ideologjia dhe feja e tyre janë më të madhërishme, por nga shkaku se në mënyrë të pamëshirshme dhe të pashpirtë aplikuan “fuqinë” mbi të tjerët. Pra, nuk i masakruan myslimanët 4 milionë njerëz gjatë luftrave të kryqëzatave, nuk vranë myslimanët mbi 50 milionë njerëz gjatë kohës së kolonializmit, nuk i filluan luftrat botërore feja islame dhe myslimanët që me vehte morrën 70 milionë jetë, nuk e krijuan myslimanët dhe Islami sistemin komunist që vrau miliona njerëz etj.
Mirëpo, shërbimet anti-islame që për fat të keq burojnë nga shtetet bashkëkohore, nuk ndalen në tentimin e njolosjes së Islamit dhe myslimanëve, gjthnjë duke krijuar Përbindësh “Islam” (Al Kaeda, Isis, Shtetin Islamik), që tani ma kanë kaluar në haresë historike dhe ato sigurishtë nesër do të zëvendësohen nga ndonjë Përbindësh tjetër, që shërbimet sekrete anti-islame veçse janë duke e gatuar ashtu si më parë në vendet myslimane, me çka edhe efekti është më i favorshëm, nëpërmjet të cilëve vazhdimisht synohet të krijohen dy elemente boshte të interesave anti-islame.
E para-në njerën anë të krijohet një klimë e përshtatshme mediale për “rrezikun” e të qenunit mysliman në kohën dhe botën bashkëkohore, me çka do të pengohej integrimi i Islamit në Perëndim si pjesë përbërëse e vlerave bashkëkohore. Dhe e dyta-në anën tjetër synimi kryesor , mbajtja e shteteve myslimane në situatë lufte, me çka pamundësohet ardhja në shprehje e vlerave universale dhe bashkëkohore të shoqërisë myslimane dhe besimit islam në shtetet e tyre.
Qani Osmani