Opinion Më shumë

Qani Osmani: Hipokritët politik

Prej tvteuta14:09, 14 Shkurt 2019

HIPOKRITËT  POLITIK

 

Hipokrizia është ves i njeriut të keq që hiqet sikur është i mirë i dashur e i virtytshëm por me qëllimin që t’i gënjejë të tjerët. Personat që kanë fjalë të mira, që mundohen disi të duken të sjellshëm, që në përgjithsi duken si të tillë, që nuk i përgjigjen asnjëher të vërtetës dhe realitetit, por që për synim të vetëm e kanë t’i mashtrojnë të tjerët, nuk mund të kenë emër tjetër përveç “hipokrit”.

Thjeshtë, hipokrizia është shtirja e një njeriu që pandehë se zotëron cilësi, virtyte, besime, parime, mendime të kthjellta, mandje shtiren se edhe janë të moralshëm, por që nuk i kanë asnjëren nga këto. Pra, personat e tillë me të drejtë i definojmë “dyftyrësha”, edhe pse ky emërtim sigurisht është i butë për këta tipa njerëzish që në shoqërinë tonë nuk janë të paktë, madje tipat e tillë po shtohen përditë e më shumë. Këto karakteristika janë edhe pjesë e shumë politikanëve shqiptar( respekt për përjashtimet pozitive) të sotëm në Mal të Zi, të cilët për arsye vetijake, ndyshe flasin e ndryshe mendojnë, dhe veprojnë krejtë ndryshe me atë çka flasin dhe mendojnë, gjithmonë kur është në pyetje pushteti dhe pasuria.

Ky tip i politikanëve në rrugëtimin e pandershëm të luftës për pushtet shpreh patriotizmin e rejshëm, religjionin, artin, sportin, madje edhe fuqinë financiale, shkollimin, instrumentalizon gjithçka të mundshme në përpjekjen e kapjes së pushtetit të ëndëruar, ta zbatoj dhe ta konkretizojë këtë orvatje dyftyrëshe për interesa personale për pasurimin e paskrupullt dhe ambicjen karreriste të pangopur. Hipokriti i skenës tonë politike, ka maskuar tej mase veten, sa që e ka vendosur një pjesë të konsiderueshme të popullatës-elektoratit, në dilema, në huti dhe lajthitje. Kjo nga fakti se qytetarët shpesh herë nuk mund të dallojnë kush është i miri dhe kush i keqi.

Fenomeni i hipokrizisë ka një trajtim serioz edhe në këndvështrimin religjioz –islam, sepse pasojat i ka tepër serioze. Në këtë drejtim le të shërbehemi me një thënje  të profetit Muhamed a.s, ku hipokritin e ka definuar në këtë mënyrë: “Kur flet gënjen, kur i besohet diçka nuk e mban premtimin, kur është në konflikt është i padrejt, dhe kur premton nuk realizon”. Me shfaqjen e këtyre veseve hipokrite të përmendura nga profeti, na vjen parasysh një tablo e gjërë e hipokritëve politik, i cili është i shtrirë gati në të gjitha nivelet e burakracisë shtetërore, organizimeve dhe përplasjeve politike, në të kaluarën dhe të tashmen e skenës politike. Kemi një sëmundje të shpirtëvare për tu jetësuar dhe mbijetuar politikisht, që nga militantët e rëndomtë, e deri tek lidershipi, është padyshim tipari i përhapur i hipokrizisë politike.

Hipokrizia e këtij lloji është reflektuese edhe në fusha të tjera shoqërore, deri në bërthamën e ngushtë familjare, në formisimin e instiktit të gënjeshtrës dhe manipulimit, e cila në vetvete domosdoshmërisht prodhon gjenerata hipokritësh të së ardhmes. Kjo më pastaj gjeneron shoqërinë e sëmur morale, që e ka të vështirë të nxjerë në masë të duhur politikanë të sinqertë, apo edhe profesionistë të fushave të ndryshme, madje e ka shumë të vështirë të nxjerrë edhe predikues e klerik fetar të sinqertë (pasi janë përgjegjës indirekt për heshtjen ndaj hipokrizive politike), të paktën të nxjerrë aq sa të mbisundojnë numerikisht mbi hipokrizin e kolegëve të tyre.

Në këtë logjikë, proklamimi i këtyre karakteristikave për bartësit e hipokrizisë, bëhen kalë beteje në fushata parazgjedhore, shndërohet deklarativisht në parim fundamental për programe politike, e në fakt për qëllime të ngushta personale e klanore. Zhurma në fushata zgjedhore për drejtësi e sinqeritet premtimesh, sapo arrihet pushteti, fillon të zbehet dhe zhbëhet. Kalohet në shpërdorim detyre, shkelje drejtësie, sikur djalli pushton shpirtin, atë shpirtë aq të “pastër” të para pushtetit.

Kalimi në hipokrizinë politike, shfaqet mjerisht në përmasa “tragjiko-komike”. Tragjike nga fakti se shumë prej propaganduesve të drejtësive sociale dhe politike, janë pikërisht shkaktarët e të kundërtës. Si pasojë e hipokrizisë të politikanëve shqiptarë, liderët dhe funsionarët e këtyre partive shkelën mbi dinjitetin shqiptar, historinë, moralin, traditën dhe vlerat tona kombëtare duke kontribuar në masë shumë të madhe edhe për boshatisjen e venbanive shqiptare në Mal të Zi. Komike për syrin e vrojtuesve të vëmendshëm, sepse si “zhonglerë” që janë, e bëjnë atë aq paturpshëm, drejtëpërsëdrejt, thuajse nuk ekziston ndërgjegje qytetare e votuesve, para së cilëve vjen koha të japin edhe llogari.

Megjithatë, këto hipokrit qëndrojnë gati të pashqetsuar, me bindje se ndoshta çdo herë do ta kalojnë lumin zgjedhor nëpërmjet urës së perfeksionuar të shantazhit me instrumentalizmin e idealeve popullore. Si të tillë janë të qetë, duken të tillë, se edhe kur humbin zgjedhjet, gjithmonë gjejnë arsyetime hipokrite të dështimit, pa marrë përgjegjësi dhe pa bërë autokritikë të punëve që kanë shkaktuar ndëkshimin elektoral. Kur dihet që përgjegjësia, autokritika në demokraci është ndëshkim funsioni, strukture, shkarkime dhe spostime, për hipokritin nuk është demagogji për të vazhduar më tej me shkakun e humbjes.

Për tri dekada në fushata zgjedhore valojnë flamujt e manipulimit mbi kokat e varfanjakëve, e të diskriminuarve dhe të shtypurve të të gjitha aspekteve sociale e politike. Janë flamujt e shkaktarëve të mjerimit, në pushtet dhe atyre që kërkojnë pushtetin, sepse brumi i politikanit tonë, në shumicë është zënë me farë të prishur. S’ka si të jetë ndryshe, i tillë është zënë që në gjirin familjar, shoqëror, në kundërshtim me vlerat etike morale që fisnikërojnë shpirtin për të zbatuar minimalisht drejtësin dhe ligjin.

Fakti që nga klasa politike shqiptare, kemi pasur politikanë që manifestonin fuqishëm aktivitete partiake me simbole të flamurit kombëtar, thërrisnin fuqishëm në patriotizëm të zjarrtë duke rahur edhe gjoksin. Promovoheshin si personalitete të mëdha shqiptare nga mediat anekënd shqiptarisë, ndërkoh vepronin në rolin e mashës të përfaqësimit politik (DPS) duke stopuar dhe sulmuar edhe gjërat më jetike të identitetit kombëtar dhe barazizë qytetare të shqiptareve etnik në Mal të Zi. Krijonin përçarje dhe tradhëti në trungun politik shqiptar, shkaktonin urejtje në procese zgjedhore, zhvillonin fushata parazgjedhore duke kritikuar pushtetin dhe përfaqësimin politik (DPS), parti që ushtroi pushtetin qendror për tri dekada dhe me mbarimin e zgjedhjeve bënin Pazar për tu futur në qeveri pa vullnetin e elektoratit zgjedhor dhe në kurriz të të drejtave shqiptare, hipokrizi e të gjitha niveleve etj.

Në shtetet demokratike dhe të mirqenjes shoqërore, hipokrizia e politikanit është më e rezikshme prej të gjitha hipokrizive, ngase siç dihet, politika ka tagrin e levës shtetërore. Prandaj, në këtë brumë të politikës sonë që mjerisht në shumicë është nxënë me farën e mashtrimit, manipulimit, e humbjes së vlerave dhe dinjitetit të qenies njeri në radhë të parë. Interpretimet e shumë dietarëve për vesin e hipokrizisë, korespondojnë përputhshëm me një pjesë të konsiderueshme të klasës politike, nga e cila hipokrizi duhet të mbrohemi dhe ta luftojmë. Largimi dhe demaskimi i këtyre gënjeshtarëve, duhet të jetë obligim primar i gjithësecilit qytetar të ndershëm.

Përfundimisht, mund të themi se reformimi i partive politike nga politikani lajkatar, nga lakmuesit e vazhdueshëm të pasurisë publike, të atyre që fjalën e dhënë popullatës, e kanë fjalë të shitur të interesit, përbën nevojë imediate ndryshimi. Që historia e padrejtësive-hipokrizive mos të na përsëritet, domosdo kërkon pamundësimin e rrugëtimit të mëtejshëm politik, të funsionarëve dhe politikanëve manipulues, hajdutë, qoftë brenda llojit apo të kundërshtarit.

 

 

Qani  Osmani

  • 1

    Radio