Aktuale Më shumë

Pylli i Pishave me ndriçim të ri

Prej tvteuta17:33, 24 Mars 2023

Shetitorja e Pyllit të Pishave është një ndër zonat më atraktive të Ulqinit, e cila shfrytëzohet gjatë gjithë vitit. Normalisht me ardhjen e ditëve të ngrohta, frekuentimi i saj rritet, dhe kjo jo vetëm gjatë ditës por edhe në mbrëmje.

Një nga  mungesat në këtë zonë, për të cilën qytetarët shpesh janë ankuar, është ndriçimi joadekuat, sidomos në disa pjesë. Për këtë ndërmarrja “Të Mirat Detare” së fundmi ka realizuar një investim për menjanimin e kësaj mungese, me instalimin e dritave të reja.

Koordinatori i saj për Tivar dhe Ulqin, Asllan Llunji, thotë se bëhet fjalë më shumë për një investim sanues, me vlerë afrë 6.000 euro, por në plan është projekti për ndërtimin e komplet rrjetit të ri  të elektrifikimit dhe ndriçimit.

“Qëllimi është që ndriçimi në këtë zonë të jetë funksional, pasi deri tani më së shumti nuk ishte .” -thotë Llunji, duke shtuar se nga qytetarët kanë marrë reagime pozitive për investimin e kryer.

Në periudhën e ardhëshme, ndërmarrja “Të Mirat Detare” planifikon edhe disa investime të tjera në Ulqin deri në fillimin e sezonit turistik. Llunji thotë se së shpejti do të përfundohet rregullimi i Molës së Madhe, ndriçimi i ri në Plazhin e Vogël, rregullimi i rrugëve drejt objekteve të përkohëshme në lumin Buna, vendi për nxjerrjen dhe uljen e varkave si dhe disa investime të tjera.

  • 1

    Radio