Putini lajmëroi vendosjen e armëve bërthamore në Bjellorusi, BE kërcënon me sanksione
Prej tvteuta10:28, 27 Mars 2023

Shefi i politikës së jashtme të BE, Josef Borrell tha të dielën se Brukseli është gati të vendosë sanksione të reja mbi Bjellorusinë nëse Minsku do të pranojë të presë arëmt bërthamore ruse. “Bjellorusia që mban raketa bërthamore ruse do të thoshte përshkallëzimin e situatës dhe do të ishte një kërcënim për sigurinë evropiane. Bjellorusia ka ende fuqinë ta ndalojë, është zgjedhja e tyre.
BE është e gatshme të përgjigjet me sanksione të mëtejshme.” Presidenti rus Vladimir Putin tha të dielën se vendi i tij do të stacionojë armë bërthamore taktike në Bjellorusi. Putini e shpjegoi zhvendosjen si një lëvizje të ngjashme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që mban armë të tilla në bazat e saj në Belgjikë. Gjermani, Itali, Hollandë dhe Turqi, një analogji që aleatët perëndimorë e quajtën keqdashëse.
Me frikën e shpërthimit të një lufte bërthamore që nga pushtimi në Ukrainë, ekspertët besojnë se çdo goditje e Rusisë do të përfshinte armë të madhësive të vogla në fushëbetejë, në krahasim me ato armët bërthamore strategjike me rreze të gjatë veprimi dhe fuqi të lartë. Ministria e Jashtme e Ukrainës akuzoi Rusinë për shkeljen e detyrimeve të saj dhe për minimin e “arkitekturës së çarmatimit bërthamor dhe sistemit të sigurisë ndërkombëtare në përgjithësi”. Në intervistën e transmetuar të shtunën, Putin tha se masa për të vendosur armë taktike bërthamore në Bjellorusi nuk ishte “asgjë e pazakontë”.