Pushteti lokal ka vërejtje të theksuara për draftin e ligjit
Prej tvteuta14:00, 6 Maj 2017
Kryetari i Komunës së Ulqinit Nazif Cungu tha dje gjatë shqyrtimit publik për draftin e ligjit të ri për planifikim dhe legalizim , se nuk vihet në dyshim nevoja e ndryshimit të ligjit aktual i cili nuk është treguar efektiv, por edhe ligji i ri përbën mangësi të cilat nuk mund të anashkalohen. Ashtu si edhe të tjerët që morën pjesë në diskutim, edhe për Cungun pjesa më problematike e ligjit është centralizimi i theksuar i tij, i cili i largon nga pushteti lokal pjesën më të madhe të ingerencave të tij në planifikimin e hapsirës.
Cungu për televizionin Teuta tha se megjithatë ligji akoma është në formë drafti dhe duhet pritur verzioni final i cili do të përbëjë edhe sugjerimet e Komunës së Ulqinit por edhe komunave tjera në Mal të Zi. Ministri i zhvillimit të qëndrueshëm Pavle Radulloviq, tha se ky ligj do të bëjë të mundur ndarjen e përgjegjësive në këtë sektor dhe vendosjen e rregullit, çka deri tani sipas tij ka munguar. Kjo nga të pranishmit u quajt joreale pasi drafti i propozuar do të mundësojë sipas tyre ndikim edhe më të madh të Qeverisë dhe politikës në planifikimin e hapsirës, çka duhet të evitohet me çdo kusht.