Kulturë Më shumë

„Punë të mbarë“, libër i ri i edukatores Lumnije Rexha – Bisha

Prej tvteuta12:14, 4 Dhjetor 2020

 Përvojën e saj shumëvjeçare si edukatore Lumnije Rexha – Bisha e ka shfrytëzuar për hartimin dhe përgatitjen e teksteve që u kushtohen fëmijëve të moshës parashkollore. Ditëve të fundit ajo ka botuar librin e ri „Punë të mbarë“.

Libri është i ndërtuar në mënyrë të tillë që fëmija, nëpërmjet figurave dhe modeleve të kuptojë vetë se çfarë duhet të bëjë, kuptohet me ndihmën e edukatoreve dhe prindërve. Në parathënien e librit, autorja thotë se libri ndikon në: nxitjen dhe aftësimin për t’u angazhuar në mënyrë aktive në aktivitete praktike dhe për të respektuar rregullat elementare për përdorimin e librit; zhvillimin e aftësive për të komunikuar në gjuhën amtare që ndihmojnë në artikulimin e drejtë të fjalëve dhe pasurimin e fjalorit; zhvillimin e të menduarit, zgjidhjen e problemeve, kuptimin e koncepteve, procesimin e informatës dhe intelektin e përgjithshëm; vetëdijesimin për veten, për të tjerët dhe për mjedisin që e rrethon. Libri pasuron fondin e librave shqip që i dedikohen fëmijëve parashkollorë.

Redaktor i librit është shkrimtari Asllan Bisha, recensente Trandajfile Kasneci, lektor Ismet Kallaba, korrektore Gjylije Kurti, konsulente Emine Hasani – Vejseli, Minire Shabani, Nerimane Mehmeti dhe Ferizade Halili, kopertina është disenjuar nga Fjolla Bisha, radhitja kompjuterike është bërë nga Iliriana Bisha – Tagani dhe Shkelzen Bisha, kurse faqosja nga Gazmend Çitaku. Libri është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës së Malit të Zi, ndërsa është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë. Lumnije Rexha – Bisha punon në Institucionin Publik Parashkollor “Solidariteti” në Ulqin. Krahas punës së saj për edukimin e fëmijëve, ajo merret me përgatitjen dhe hartimin e teksteve për fëmijët e moshës parashkollore, si e vetmja autore shqiptare në Malin e Zi që përpilon tekste që i kushtohen kësaj grupmoshe. Ka botuar librat: “Hapi krahët” (2011), “Gjëegjëza, fjalë të urta” (2012), “Gëzohuni fëmijë” (2015), “Duart tona punëtore” (2020) dhe “Punë të mbarë” (2020).

Në kuadër të veprimtarisë së tij botuese “Art Club”, botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani rreth 150 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.

          Ulqin, më 3. 12. 2020                                                                     SHAI “Art Club”

  • 1

    Radio