Protesta në disa qytete. Njoftohet bllokim i rrugëve
Prej tvteuta17:42, 30 Gusht 2023
Një grup i qytetarëve të Malit të Zi kanë njoftuar se sonte do të organizojnë bllokime të disa rrugëve në qytetet e vendit.
Në grupin e Viber “Mbrojtja e Vullnetit Zgjedhor”, i cili numëron afër 20 mijë anëtarë, njoftohet se arsyeja e protestës është kundërshtimi i formimit të qeverisë me ish-partnerët e PDS-së, gjegjësisht partitë e popujve pakicë. Sipas grupit, bllokada do të fillojë në orën 19:00 në rrethrrotullimin në Zllaticës në Podgoricë, në kthesën për tunelin e Sozinës në Tivar, në Portin e Zelenikës në Herceg Novi, dhe në disa pjesë të tjera.
Grupi Viber u formua pak ditë më parë dhe administratorët e tij bëjnë thirrje për protesta lidhur me aktualitetin politik rreth formimit të qeverisë, shkëmbejnë numrat e telefonit të politikanëve të caktuar dhe u dërgojnë mesazhe. Grupi tani ka gati 20 mijë anëtarë dhe administratorët thonë se kanë koordinatorë në shtatë qytetet e vendit. Sipas njoftimeve të mediave protesta nuk është paralajmëruar dhe e njëjta do të inçizohet sipas Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike.